Zyrtari i Gjilanit që u filmua duke marrë para pranon fajësinë

Bashkim Bunjaku nga Gjilani, pranoi fajësinë për veprën penale marrje ryshfeti.

Ai akuzohet se në cilësinë e zyrtarit për tatim në pronë në Drejtorisë për Buxhet dhe Financa në komunë të Gjilanit, në mënyrë të drejtpërdrejtë ka kërkuar dhe pranuar ryshfet në shumë prej 2 mijë euro.

Qysh në fillim të shqyrtimit gjyqësor mbrojtësi i të akuzuarit Bunjaku, avokati Enver Halili e njoftoi gjykatën se kanë arritur marrëveshje për pranimin e fajësisë me Prokurorinë e shtetit në Gjilan.

Mirëpo trupi gjykues, pasi mori mendimin edhe të prokurorit Arben Kadriu dhe të akuzuarit Bashkim Bunjaku, refuzoi kërkesën për pranimin e fajësisë për shkak se sipas kryetarit të trupit gjykues Agim Ademi nuk janë plotësuar kushtet e pranimit të saj.

Shqyrtimi më pas vazhdoi me leximin e aktakuzës ku pas leximit të saj nga ana e Prokurorit Arben Kadriu, i akuzuari Bashkim Bunjaku, e pranoi fajësinë duke deklaruar se pranimin e fajit e bën në mënyrë vullnetare.

Meqenëse i akuzuari pranoi fajësinë trupi gjykues ftoi palët që të japin fjalët përfundimtare. Prokurori i shtetit Arben Kadriu deklaroi se mbetet në tërësi pranë aktik akuzues, dhe i propozoi gjykatës që të pandehurin ta shpallë fajtor, si dhe si dënim plotësues t`ia shqiptoi dënimin me ndalim të ushtrimit të funksionit në administratë publike ose shërbim publik.

Kurse mbrojtësi i të akuzuarit në fjalë, avokati Enver Halili, në fjalën e tij përfundimtare deklaroi se meqenëse i mbrojturi im ka pranuar fajësinë, propozoi që ndaj tij të shqiptohet një dënim sa ma i butë, duke i marrë për bazë rrethanat lehtësuese të rastit, pasi që, i pandehuri nuk ka kryer asnjëherë vepër penale, është penduar për veprën që e ka bërë, është ndier keq për këtë veprim.

Avokati Halili në fund kërkoi nga trupi gjykues që për kërkesën e prokurorit për dënimin plotësues, dënimi i tillë të jetë minimal.

Ndërsa i akuzuari Bashkim Bunjaku, deklaroi se është i penduar për veprën penale të kryer, ndien keqardhje ndaj të dëmtuarit dhe para gjykatës kërkoi që t’i shqiptohet një dënim sa ma i ulët.

Sipas aktakuzës të përfaqësuar nga prokurori Arben Kadriu thuhet se, Bashkim Bunjaku akuzohet për veprën penale marrje ryshfeti sepse në cilësinë e zyrtarit për tatim në pronë, pranë Drejtorisë për Buxhet dhe Financa në komunë të Gjilanit, në mënyrë të drejtpërdrejtë ka kërkuar dhe pranuar ryshfet në shumën prej 2000 euro nga Arbër Emini, i cili në cilësinë  e personit zyrtar në kuadër të autorizimeve të tij të veproi në pajtim me detyrën e tij zyrtare, ashtu që ta bëjë pagesën nga llogaria e komunës për kompensim për shpronësimin e tokës së Ragip Rashitit në vlerë prej 65.072,00 euro. Dhe pasi që Ragip Rashitit i është bërë më shumë se gjysma e pagesës së kompensimit, më datë 22 qershor 2018, në ora 11:45 min. në Gjilan në parkingun e “ HIB Petrol”, pas marrëveshjes paraprake janë takuar me të dëmtuarin Arbër Emini, ku i pandehur Bashkim Bunjaku i merr të hollat nga ai në vlerën prej 2000 eurosh, dhe pas intervenimit nga Policia e Kosovës është arrestuar dhe i janë sekuestruar të hollat.

Trupi gjykues në përbërje nga gjyqtarët Agim Ademi kryetar, Menderes Behluli e Naser Maliqi anëtarë njoftuan se shpallja e vendimit për këtë rast do të bëhet në ora 15:00.

Drejtësia në Kosovë raportoi lidhur me këtë rast të marrjes së ryshfetit:

https://kallxo.com/gjilan-filmohet-skandali-i-korrupsionit-zyrtari-merr-2-mije-euro-mito/

.