Zyrtari i Gjakovës Ankohet në Prokurorin Selimaj

Ali Tafarshiku, zyrtar në Komunën e Gjakovës thotë se është ndier i fyer nga trajtimi që iu bë në prokurorinë e këtij qyteti kur u ftua si dëshmitar.

Tafarshiku tha për KALLXO.com se derisa po intervistohej në zyrën e prokurorit Ali Uka, aty ka hyrë prokurori tjetër Ali Selimaj që sipas Tafarshikut i ka shtruar pyetje personale të cilat nuk lidheshin me çështjen për të cilën po dëshmonte.

“Në prokurori nuk kam shkuar ta takoj zotërinë Selimaj, ai ka hyrë duke ndërhy, ka kaluar prej zyrës së tij në zyrën e prokurorit Uka. Zoti Uka, prokurori, i ka dhënë hapsinën e nevojshme zotit Selimaj për të më provokuar, për të më trajtuar si një të burgosur.” tha Ali Tafarshiku.

Por prokurori Ali Uka mohoi se kolegu i tij Ali Selimaj i shtroi pyetje zyrtarit komunal Tafarshiku.

“Është e vërtetë që prokurori Ali Selimaj ka hyrë në zyrën time si zakonisht qysh ne prokurorët e vizitojmë njëri-tjetrin dhe kur prokurori Selimaj e ka parë se jam në intervistë me dëshmitarin Tafarshiku na ka përshëndetë dhe ka dalë jashtë,” tha për KALLXO.com Ali Uka.

Zyrtari në kabinetin qeverisës të Gjakovës Tafarshiku, më tutje tregoi pse sipas tij, prokurori Selimaj u sill ashtu me të.

“Lëvizjet e tij me duar të lidhura pas shpinës, qortimet e tij për gjërat personale, për statuset e mija në facebook-un tim personal, për rikthimin e zonjës Bakija në punë, procese të cilat nuk kanë të bëjnë aspak me rastin, as me autoritetin tim zyrtar që kam qenë atë ditë i thirrur në atë seancë,” tha Tafarshiku.

Prokurori Ali Selimaj mohoi se e pyeti për çështje personale Tafarshikun.

“Është e drejtë e imja të hyj në zyrat e kolegëve të mi, por është e drejtë e imja edhe të parashtroj pyetje nëse ka nevojë. Nuk i kam parashtru pyetje, as nuk e kam cenu integritetin e tij moral as personal,” tha Selimaj.

Selimaj deklaroi se akuzat e Tafarshikut lidhen me emërimet në prokuroritë e Kosovës.

“Duke qenë se jemi në fazën e emërimeve të kryeprokurorëve të prokurorive themelore në tërë Kosovën edhe në Gjakovë, si dhe duke marrë parasysh sulmet e pareshtura që në mënyrë të sinkronizuar janë ba nga një shtab të cilin e përfaqëson edhe ai person në fjalë ndaj meje për një kohë shumë të gjatë, unë nuk kam koment në deklaratat e atij personi. Qëllimi po dihet, eliminimi im si konkurrent I mundshëm për kryeprokuror të kësaj prokurorie,” tha prokurori Selimaj.

Por Tafarshiku, pavarësisht deklaratave të Selimajt, thotë se është ankuar ndaj sjelljes së këtij prokurori në Zyrën e Prokurorit Disiplinor, ndërsa është duke e përgatitur edhe një kallëzim penal.