Zyrtari i Drenasit Kundërshton Aktakuzën e Korrupsionit

Ai në seancën para gjykatësit Beqir Kalludra tha se aktakuza është e montuar.

“Unë mbetem prapa kundërshtimit që e kam bërë me shkrim ndaj aktakuzës, ajo është e montuar,” tha Binaku.

Prokuroria e akuzon Binakun se në cilësinë e personit zyrtar në Komunën e Drenasit në mënyrë të kundërligjshme ka keqpërdorur detyrën e tij pasi që nga viti 2008 e deri në vitin 2012 ka kërkuar dhe pranuar para të qirasë nga i dëmtuari Bardhyl Geci për një lokal të komunës në Qendrën Tregtare të Drenasit.

Sipas prokurorisë, i akuzuari çdo muaj në emër të qirasë ka pranuar shumën prej 300 euro nga i dëmtuari, ndërsa këto pagesa nuk i ka evidentuar dhe paguar komunës.

Prokuroria pretendon se shuma totale që ka pranuar Binaku është 10,800 euro.

Në seancë qëndrim të kundërt prej Binakut ndaj aktakuzës, pati prokurorja Habibe Salihu.

“Aktakuza është e mbështetur në prova që janë të siguruara në mënyrë të ligjshme dhe rrjedhimisht kërkojmë që kundërshtimi i të akuzuarit ndaj aktakuzës të refuzohet,” tha Salihu.

Pas dëgjimit të pretendimeve të palëve, gjykatësi Beqir Kalludra do të vendosë lidhur me kundërshtimin e aktakuzës nga Xhemë Binaku.

Seanca e radhës do të mbahet pasi të vendoset lidhur me kundërshtimin e akuzës.