Ish-kryetari i Organit Shqyrtues të Prokurimit Publik Hysni Hoxha - Foto: KALLXO.com

Zyrtari i ATK-së Dëshmon në Gjyqin e Hysni Hoxhës

Në gjykimin kundër ish-kryetarit të Organit Shqyrtues të Prokurimit Publik, Hysni Hoxha, e zyrtarit të OSHP-së, Hysni Muhadri, si dhe Arsim Robellit, kontabilist i “Conex Group”, sot ka dëshmuar Sami Salihu, zyrtar i Administratës Tatimore të Kosovës (ATK).

Salihu nga ana e mbrojtjes së të akuzuarve kryesisht u pyet rreth dy raporteve të kontributeve të paguara të operatorit ekonomik “Conex Group”.

Sipas dëshmitarit, operatorët ekonomikë kanë të drejtë t’i korrigjojnë raportet e deklaruara.

“ATK-ja nuk jep asnjë informatë për subjektet ekonomike. Nëse këtë e kërkon ndonjë subjekt tjetër apo ndokush tjetër… është e specifikuar se kush mund të merr këto informacione”, tha dëshmitari në pyetjen e avokatit Sahit Bibaj, mbrojtësi i të akuzuarit Hysni Hoxha.

Ndërsa në pyetjen e te akuzuarit Hoxha, dëshmitari deklaron se më 17 qershor 2013 nga OSHP-ja janë kërkuar informata për numrin e punëtorëve të operatorit ekonomik “Conex Group” për vitin 2010, 2011 dhe 2012.

Dëshmitari po ashtu deklaroi se ka pasur korrespondenca edhe me Hysni Muhadrin, i cili ka qenë në cilësinë e ekspertit shqyrtues të Organit Shqyrtues të Prokurimit.

Ndërsa ne pyetjen e avokatit Kujtim Kerveshi, mbrojtës i të akuzuarit Arsim Robelli, se a ka mundësi që ndonjë operator ekonomik t’i ketë listat e punëtorëve të operatorit tjetër ekonomik, dëshmitari Salihu tha se kjo nuk është e mundur, pasi që në ATK mund të merren këto vetëm me autorizim.

Po ashtu, edhe për korrigjimin e deklaratave nevojitet autorizimin, tha ai.

I akuzuari Arsim Robelli pasi që bëri vërejtje në dëshminë e dëshmitarit, tha se atij i është ngritur aktakuzë në bazë të dokumenteve kopje, edhe pse tha se ka kërkuar dokumentet origjinale.

Në këtë rast gjyqësor, të pandehurit Hysni Hoxha dhe Hysni Muhadri dyshohen se kanë kryer veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar ndërsa të pandehurit Veton Fetahu, pronar i kompanisë “Conex Group” dhe Arsim Robelli, mbajtës i kontabilitetit i kësaj kompanie, dyshohen se kanë kryer veprat penale të falsifikimit të dokumenteve, mashtrimit dhe deklarimit të rremë nën betim.

http://kallxo.com/ngritet-aktakuze-ndaj-shefit-te-tendereve-hysni-hoxha/

Prokuroria thotë se të pandehurit Hysni Hoxha dhe Hysni Muhadri më 20 qershor 2013 në cilësinë e personave zyrtarë, në bashkëveprim, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar me dashje direkte dhe me qëllim që të përfitojë çfarëdo dobie kompania “Conex Group” në aktivitetin e prokurimit “Ndërtimi i lokaleve afariste në Qytezën Pejton”, të iniciuar nga Autoriteti Kontraktues – Ndërmarrja Publike Banesore në Prishtinë, gjatë shqyrtimit të ankesës së operatorit ekonomik ankues, i kanë tejkaluar kompetencat e tyre, si dhe nuk i kanë përmbushur detyrat zyrtare të tyre, duke i fshehur provat e siguruara nga ATK-ja para dy anëtarëve tjerë të panelit shqyrtues të drejtuar nga Hysni Hoxha, ku në mungesë të këtyre provave anëtarët e panelit bien në lajthim dhe refuzojnë ankesën e operatorit ekonomik ankues, me ç’rast kompanisë “Conex Group” i kanë sjellë dobi materiale në shumë prej 1.779.759,54 euro.

Ndërkaq, në periudhën kohore 1 mars 2013 – 21 qershor 2013, i pandehuri Veton Fetahu në cilësinë e personit përgjegjës dhe pronarit në biznesin “Conex Group”, ndërsa Arsim Robelli, në cilësinë e ofruesit të shërbimeve të kontabilitetit përmes biznesit “Es – Services” për biznesin “Conex Group”, me qëllim të realizimit të përfitimit të dobisë pasurore të kundërligjshme për biznesin “Conex Group”, në bashkëkryerje dhe me dashje përpilojnë dhe përdorin dokumentet e falsifikuara dhe atë raportet e kontributeve për punëtorët e biznesit “Conex Group” për periudhat tremujore TM-4 2010 dhe TM-4 2011, ku të njëjtat i dorëzojnë në aktivitetin e prokurimit “Ndërtimi i lokaleve afariste në Qytezën Pejton”, ku si rezultat i përdorimit të këtyre dokumenteve kompania “Conex Group”, është trajtuar si operator i përgjegjshëm dhe është shpallur fitues i kontratës në vlerë prej 1.779.759,54 euro.

Të akuzuarit në këtë rast nuk e kanë pranuar fajësinë, me përjashtim të Veton Fetahut, i cili e ka pranuar fajësinë dhe ndaj tij është veçuar procedura.

Veton Fetahu më 10 mars 2015 kishte arritur marrëveshje për pranimin e fajësisë me prokurorin dhe në këtë marrëveshje ishin dakorduar që për veprat për të cilat akuzohet të dënohet me 6 muaj burg efektiv dhe 16.000 euro.

http://kallxo.com/kryetari-i-gjykates-se-tendereve-ne-banken-e-te-akuzuarve/