Komuna e Rahovecit

Zyrtarët komunal nuk i përfillin rregullat për shfrytëzimin e veturave

Zyrtarë të Komunës së Rahovecit nuk kanë plotësuar formularët obligues për shfrytëzimin e automjeteve zyrtare.

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) në raportin për vitin 2018 ka theksuar se në këtë komunë ka pasur menaxhim jo adekuat të autoparkut, në tri raste specifike.

“Siç kërkohet nga UA Nr.3-2008 – për menaxhimin e automjeteve zyrtare, janë përcaktuar formularët për përdorim të veturave zyrtare. Në tri raste gjate përdorimit të veturave në drejtorin e Administratës, Arsimit dhe QKMF, kemi gjet se nuk është plotësuar formularët për shfrytëzimin e automjeteve, siç kërkohet nga UA”, thuhet në raport.

Gjithashtu formulari, urdhër për shfrytëzimin e automjeteve nuk ishte nënshkruar nga zyrtari kompetent, autorizuesi i automjetit.

Auditori vlerëson se situata është pasoje e neglizhencës së zyrtareve kompetent komunal, mos ndarje e detyrave dhe mungesa kontrolleve të mjaftueshëm mbi menaxhimin e autoparkut.

“Mungesa e kontrollit në menaxhimi e automjeteve zyrtare rrit rrezikun e shpenzimeve të pajustifikueshme dhe mundësinë e përdorimit jo zyrtar të automjeteve komunale”, vijon raporti.

ZKA rekomandon se kryetari duhet të sigurojë se do të hartohet një politik e brendshme e cila definon qartë kërkesat dhe përgjegjësitë për përdorimin e veturave.

“Personat përgjegjës për mbikëqyrjen e autoparkut duhet të sigurojnë se gjatë përdorimit të automjeteve zyrtare azhurnohen fletudhëtimet dhe veturat përdoren vetëm sipas aprovimeve të personave përkatës”, thuhet në raportin për Komunën e Rahovecit.