Zyrtarët e Suharekës Deklarohen të Pafajshëm
Në Departamentin e Krimeve të Rënda të Gjykatës Themelore në Prizren u zhvillua sot seanca fillestare ndaj ish-drejtorit të Urbanizimit të Komunës së Suharekës Kurtesh Fondajt, drejtorit të Inspektoratit Raif Fetiut, dy inspektorëve të ndërtimit Berat Kabashit e Hafir Maliqajt dhe ndaj pronarit të firmës “Unicom” Muharrem Elshanit.
Këta pesë persona akuzohen për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.
Në seancën e sotme u lexua aktakuza nga prokurori i shtetit dhe pas leximit të saj, të akuzuarit u deklaruan të pafajshëm.
Nadire Hoxha avokatja e të akuzuarit Muharrem Elshani tha për KALLXO.com, se do të paraqesë kundërshtim të akuzave dhe provave.
“Sot është lexuar akuza ndaj të akuzuarve, të akuzuarit asnjëri nuk e pranoi fajësinë lidhur me akuzën e cila është lexuar sot. Ne kemi afat 30 ditë për ta kundërshtuar akuzën dhe kundërshtimin e provave të cilat i janë bashkëngjitur aktakuzës. Ne do ta bëjmë kundërshtimin e aktakuzës, pasi që klienti im nuk e ka pranuar veprën penale e cila i vihet në barrë,” tha Nadire Hoxha.
Seanca u mbajt në zyrën e gjykatëses në një ambient të ngushtë dhe të papërshtatshëm, ku përpos 5 të akuzuarve, prokurorit të shtetit, dy avokatëve dhe përfaqësuesit të të dëmtuarit ishin edhe tre përfaqësues të organizatave të ndryshme.
ish-drejtori i Urbanizimit të Komunës së Suharekës Kurtesh Fondaj akuzohet se më 22 korrik 2013 miratoi dhe aprovoi kushtet e ndërtimit, duke plotësuar dhe ndryshuar aktvendimin e pëlqimit urbanistik dhe kushtet e lokacionit dhe lëshoi leje të re ndërtimi në emër të Muharrem Elshani në kundërshtim me planin urbanistik detal të qytetit.
Aktakuza e ngarkon Muharrem Elshanin se ka zhvendosur një pjesë të fushës së këtij ekipi, duke shfrytëzuar për nevoja të kompanisë së tij 16 arë nga kjo fushë. Elshani akuzohet edhe se gjatë ndërtimit të objektit afarist banesor ka përvetësuar sipërfaqen prej 50 metrash katrorë, duke kaluar në bazën e themeltë të objektit në pronësi shoqërore, me ç’rast komunës i shkakton dëme të konsiderueshme.
Ndërsa drejtori i Inspektoratit Raif Fetiu dhe inspektorët e ndërtimit Hafir Maliqaj dhe Berat Kabashi akuzohen se prej muajit korrik 2013 deri në muajin prill 2015 me qëllim ia mundësojnë Muharrem Elshanit zhvendosjen e një pjese të fushës së ekipit futbollistik “Ballkani” në sipërfaqe prej 16 arësh dhe hyrjen në pronë shoqërore prej 50 metrash gjatë ndërtimit të një objekti afarist-banesor.