Gjykimi i zyrtarëve të OSHP-së | Foto: KALLXO.com

Zyrtarët e OSHP-së Deklarohen të Pafajshëm për Tenderin e Ushqimit të FSK-së

Anëtaret e OSHP-së Tefik Sylejmani e Ekrem Salihu të akuzuar se e keqpërdorën detyrën zyrtare në lidhje me një tender rreth furnizimit me ushqim të FSK-së dhe MFSK-së me çka po pretendohet se i kanë shkaktuar dëm të madh ministrisë dhe Forcës së Sigurisë, u deklaruan rreth aktakuzës që po ju vihet në barrë.

Në lidhje me aktakuzën Tefik Sylejmani tha se është konfuz pasi që sipas tij ka shumë paqartësi, ai kërkoi sqarime nga ana e prokurorit Ibrahim Berisha.

Edhe avokati i Tefik Sylejmanit Hekuran Haxhimusa kërkoi të dinte nga prokurori se sa është dëmi material që konsiderohet se të akuzuarit i kanë shkaktuar FSK-së dhe MFSK-së.

Madje ai tha se të akuzuarit nuk kanë kryer asnjë vepër penale pasi që ata vetëm kanë dashur që ta shpëtojnë buxhetin e Kosovës në vlerë prej 1 milion eurove.

“Cilën shkelje e kanë bërë, sa ka qenë kuorumi, le të na thotë prokurori sa e paskan dëmtu operatorin, këta kanë dashur të ia shpëtojnë buxhetin e Kosovës 1 milion, për këtë janë këtu”, deklaroi avokati Hekuran Haxhimusa.

Prokurori Ibrahim Berisha tha se në lidhje më dëmin do të deklarohet gjatë shqyrtimit gjyqësor.

Më pas të dy të akuzuarit u deklaruan të pafajshëm rreth veprës e cila ju vihet në barrë.

Edhe i akuzuari Ekrem Salihu, sikurse avokati Haxhimusa tha se ka tentuar ta shpëtojë 1 milion euro të buxhetit të Kosovës.

“E ndjej veten fajtor që kam tentuar t’ia shpëtojë buxhetit të Kosovës 1 milion, kurse për këtë vepër që akuzohem jam i pafajshëm, asnjëherë nuk kemi vepruar pa kuorum ashtu siç ceket në dispozitiv të aktakuzës, jam absolutisht i pafajshëm”, tha ai.

Në bazë të pretendimeve të prokurorisë Tefik Sylejmani e Ekrem Salhu në cilësinë e anëtareve të OSHP-së nga viti 2015 e deri në maj të vitit 2016 e kanë keqpërdorur detyrën zyrtare duke i tejkaluar kompetencat e tyre, pasi që kanë vepruar në dëm të autoritetit kontraktues MFSK.

Sipas aktit akuzues, MFSK e ka shpallur tenderin për “Furnizim, Përgatitje dhe Sigurim të Ushqimit në Kuzhinat e FSK-së dhe MFSK-së, Loti 1”. Autoriteti kontraktues i MFSK-së ka pranuar operatorët ekonomikë, përkatësisht tenderuesit N.H “Amazona”, “Oda Grup” SH.A, “Global Parajsa”, Ciano Tranding Servis”, SH.P.K “Beni Dona” Plus dhe NTP. “Florenti&Korabi”.

Më tej në aktakuzë thuhet se të akuzuarit  në kundërshtim me ligjin e kanë aprovuar ankesën operatorit ekonomik “Florenti&Korabi Company” dhe si pasojë kanë anuluar operatorët ekonomikë i të papërgjegjshëm.

Sipas pretendimeve të prokurorisë ka pasur më tepër se dy operatorë ekonomikë të përgjegjshëm të cilët me dokumentacion te kompletuar kanë marrë pjesë në tenderin e FSK-së MFSK-së, por të akuzuarit e kanë kthyer tenderin në rivlerësim dhe e kanë shpallur të pavlefshëm, e më pas kanë nxjerrë vendim mbi aprovimin e ankesës së operatorit ekonomik “Beni Dona”, duke votuar pa kuorum vetëm me dy anëtarë.

Sipas këtij vendimi, Tefik Sylejmani është caktuar në pozitën e ushtruesit të detyrës së kryetarit të OSHP-së, ndërsa vendimi është nënshkruar më pas nga anëtari Ekrem Salihu dhe vetë Tefik Sylejmani.

Me anë të këtyre veprimeve të akuzuarit pretendohet se i kanë sjellë dëm të konsiderueshëm material FSK-së dhe MFSK-së, të cilët më pas është dashur që të veprojnë në mënyrë emergjente për furnizimin me ushqim të FSK-së dhe MFSK-së.