Foto: Avni Arifi/Facebook

Zyrtarët e lartë të SHBA-së kërkojnë pezullimin e taksës

Kryenegociatori i delegacionit shtetëror të Kosovës për bisedime me Serbinë, Fatmir Limaj ka bërë të ditur se sot janë takuar në zyrën e presidentit Hashim Thaçi  me përfaqësuesit e lartë të Këshillit Kombëtar të Sigurisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, John Erath dhe Brad Berkley.

Limaj përmes një publikimi në Facebook ka treguar se përfaqësuesit amerikanë kanë kërkuar sërish pezullimin e taksës ndaj Serbisë.

“Përfaqësuesit e lartë të Këshillit Kombëtar të Sigurisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, John Erath dhe Brad Berkley, edhe njëherë paraqitën qëndrimin e njohur amerikan për pezullimin e taksës për t’i dhënë mundësi dialogut dhe përkushtimin e SHBA-ve për të parë sa më shpejt një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë e cila do ta mbyllte njëherë e përgjithmonë konfliktin mes dy vendeve”, ka shkruar Limaj.

Ndër të tjerash, Limaj ka thënë se vendimi për taksën ka qenë vendim shtetëror dhe tashmë është e qartë se ka këndvështrime të ndryshme rreth kësaj teme.

Postimi i plotë i Fatmir Limaj në Facebook:

Sot në zyrën e presidentit, ne si Delegacion Shtetëror për Bisedime me Serbinë, u takuam me përfaqësuesit e lartë të Këshillit Kombëtar të Sigurisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, John Erath dhe Brad Berkley,

Unë shfrytëzova rastin që dy zyrtarët e lartë të Shtëpisë së Bardhë t’i njoftoj për punën e deritanishme të Delegacionit Shtetëror, për parapërgatitjet që po i bëjmë për dialogoun e mundshëm me Serbinë.

Njoftova për përgatitjen e platformës për bisedime e cila, pas miratimit nga ana e institucioneve, është proceduar në Kuvend dhe shpresoj që Kuvendi i Kosovës të diskutojë dhe votojë këtë platformë e cila do ta paraqesë qëndrimin zyrtar të Kosovës në dialogun e ardhshëm me Serbinë.

Gjithashtu shpreha shqetësimin tonë për sjelljen e shtetit serb në raport me Kosovën, ndërhyrjen që çdo ditë Serbia i bën në Kosovë dhe ndaj qytetarëve të Kosovës, pengesat që i bën Kosovës dhe qytetarëve të saj. Përmendëm arsyet që na kanë detyruar ta marrim vendimin për taksën.

Përfaqësuesit e lartë të Këshillit Kombëtar të Sigurisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, John Erath dhe Brad Berkley, edhe njëherë paraqitën qëndrimin e njohur amerikan për pezullimin e taksës për t’i dhënë mundësi dialogut dhe përkushtimin e SHBA-ve për të parë sa më shpejt një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë e cila do ta mbyllte njëherë e përgjithmonë konfliktin mes dy vendeve.

Shfrytëzova rastin për të thënë se vendimi për taksën ka qenë vendim shtetëror dhe tashmë është e qartë se ka këndvështrime të ndryshme rreth kësaj teme. I sigurova që po punojmë fuqishëm që institucionet e Kosovës rreth kësaj çështjeje të kenë një qëndrim unik i cili do t’i mundësonte edhe fillimin e dialogut, duke marrë parasysh këshillat e miqve tanë amerikanë. FL