Theresa May, Kryeministre e Mbretërisë së Bashkuar. Foto: Alastair Grant/AP/Beta

Zyrtarët Britanikë të Turpëruar nga Rikthimi i të Dënuarit Shqiptar

Media në Britani zbuloi se një shqiptar i dënuar për vrasje po jetonte në Leicester, në Anglinë qendrore duke drejtuar një biznes fitimprurës të larjes së makinave, gjë që ka shkaktuar protesta të zemëruara nga deputetët konservatorë dhe ka turpëruar qeverinë e Theresa May, e cila pretendon se ka miratuar një politikë “më parë dëbim, pastaj apel” për kriminelët e huaj.

Selami Çokaj u dënua me 20 vjet burg për vrasje në Shqipëri në 1994, por u arratis nga burgu dhe iu drejtua Britanisë ku për vite u shtir si një refugjat nga Kosova.

Identiteti i tij i vërtet u zbulua në qytetin Mansfield në 2006 dhe ai u dëbua, pas apelimeve të shumta për të qëndruar, me pretendimin se ishte viktimë e një identiteti të gabuar në 2009.

Megjithatë, për shkak të kalimit të kohës nga dënimi i tij i parë, ai u lirua nga burgu në Shqipëri në 2012.

Deputeti Philip Davies tha për gazetën britanike Sun: “Është e jashtëzakonshme se si ky burrë ia ka dalë të kthehet në Mbretërinë e Bashkuar. Kjo tregon se sa të dobët janë kufijtë tanë”.

Shefi i Interpolit në Shqipëri, i intervistuar nga gazeta Express vitin e shkuar, tha se policia shqiptare i kishte dërguar homologëve të tyre emrat e dhjetërave kriminelëve të dënuar për krime të rënda, të cilët ata dyshonin se po fshiheshin në Mbretërinë e Bashkuar dhe  kritikoi policinë britanike dhe autoritetet e drejtësisë për ritmin e ulët të deportimeve të kriminelëve të kërkuar në Shqipëri.

Shqiptarët mendohet se përbëjnë 10 për qind të popullatës së të burgosurve nga Europa lindore në Mbretërinë e Bashkuar. Zyrtarisht, Mbretëria e Bashkuar është shtëpi e rreth 20,000 shqiptarëve. Por dihet se shumë kanë hyrë, duke pretenduar se ishin nga Kosova dhe se po i largoheshin luftës në Jugosllavi.