Shesheli ‘Non Grata’ në Kosovë (DOKUMENT)

Lideri radikal serb, Vojsllav Sheshel, është shpallur edhe zyrtarisht person i padëshirueshëm në Kosovë dhe të njëjtit i është ndaluar hyrja në territorin e shtetit.

KALLXO.com ka siguruar një kopje të vendimit i cili është nënshkruar nga ministri në detyrë i Punëve të Jashtme, Petrit Selimi.

Vendimi i nënshkruar më 4 prill 2016 e obligon Ministrinë e Punëve të Brendshme, Ministrinë e  Punëve të Jashtme dhe organet e tjera që t’ia ndalojnë Sheshelit hyrjen në Republikën e Kosovës.

Sheshel para dy javëve është shpallur i pafajshëm nga Tribunali i Hagës në akuzat për krime të luftës në Kroaci dhe Bosnjë dhe menjëherë ka nisur një seri deklaratash të ashpra ndaj vetë tribunalit si dhe armiqve të dikurshëm të Serbisë.

Vendimi i MPJ-së së Kosovës është hartuar bazuar në marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë- Serbi dhe në ligjet e tjera të Kosovës.

Në një deklaratë për KALLXO.com, ministri Petrit Selimi arsyetoi vendimin për t’ia ndaluar Sheshelit hyrjen në Kosovë.

“Për arsye tragjikisht të qarta, për mijëra familje në Ballkan që janë viktimizuar nga fjalët dhe veprimet e tij”, tha Petrit Selimi.

non grata