Zyra Kombëtare e Auditimit e shqetësuar me sistemin e mbledhjes së tatimit në pronë

Zyra Kombëtare e Auditimit ka shprehur shqetësimin e saj për mosefikasitetin e sistemit informativ të mbledhjes së të hyrave nga tatimi në pronë (SITP).

Besnik Osmani, Auditori i Përgjithshëm i Zyrës Kombëtare të Auditimit të Kosovës ka thënë se është thelbësore një sistem i drejtë dhe efektiv për mbledhjen e të hyrave nga tatimi në pronë pasi që sipas tij ky është burimi kryesor i të hyrave për komunat.

“Pagesa e tatimit në pronë nga qytetarët është investim në mirëqenien e tyre. Është thelbësore që ne të kemi një sistem të drejtë dhe efektiv, të cilin për momentin nuk e kemi”, tha Osmani.

Përfaqësues të Zyrës Kombëtare të Auditimit kanë vënë fajin tek Ministria e Financave që sipas tyre ka dështuar në plotësimin e kushteve të dakorduara në marrëveshje për sistemin SITP.

“Ministria e Financave ka dështuar në hartimin e strategjisë, politikave dhe procedurave të TI-së, duke rrezikuar adresimin e burimeve të nevojshme për mbështetjen e veprimtarisë së sistemit. Ministria e Financave  nuk ka arritur të ofroj përkrahjen e duhur për shfrytëzuesit. Gjithashtu, nuk është bërë matja efektive e sistemit, duke pamundësuar planifikimin e kapaciteteve të nevojshme për operimin e duhur në të ardhmen”,  thuhet në komunikatën e Zyrës Kombëtare të Auditimit.

Ndër tjerash thuhet se të dhënat hyrëse në këtë sistem nuk janë të sakta dhe shpeshherë nuk janë përditësuar.

“Disa prona nuk janë të regjistruara, disa janë regjistruar shumë herë si dhe cilësia e ndërtimit si bazë për tatim injorohet në disa komuna. Ekziston një zbritje në të gjitha pronat e banimit, ndërsa zbritja duhet të jetë vetëm për banim primar por jo edhe për atë sekondar”, thuhet në komunikatën e Zyrës Kombëtare të Auditimit.

Sipas Auditorit të Përgjithshëm shpeshherë ky institucion për shkak të sistemit joefektiv (SITP) është ballafaquar me paqartësi në të dhëna, vonesa në regjistrim dhe shpërndarjen e pagesave, vështirësi në përpilimin e raporteve  e deri te ndërprerja e këtij shërbimi.

“Kjo ka ndikuar në performancën dhe shfrytëzimin jo efektiv të sistemit nga shfrytëzuesit. Mangësi më të mëdha janë identifikuar në modulin e faljes së borxheve ku ka raste kur tatimpaguesit nuk kanë përfituar nga falja për 0.02 euro”, thuhet në komunikatën e Auditorit.

Madje sipas kësaj komunikate thuhet se sistemi nuk ofron siguri të mjaftueshme dhe rrezikon keqpërdorim të të dhënave.

“Mungesa e kontrollit të dhënies së privilegjeve në pajisjet e shfrytëzuara për qasje në sistem nga komunat, rrezikon keqpërdorimet në sistem”, thuhet në komunikatë.