Zyra e Kryeministrit i Kërkon Shoqërisë Civile Bashkëpunim në Dokumente Strategjike

Dy nga këto dokumente ku kërkohet një kontribut i tillë janë edhe Draft Strategjia Kombëtare për Zhvillim (SKZH) dhe Programi i Reformave Ekonomike (PRE).

Sipas drejtorit të zyrës për planifikim strategjik në Zyrën e Kryeministrit, Qemajl Marmullakaj, ideja e paraqitjes së strategjisë kombëtare për zhvillim dhe e reformave ekonomike është që të marrin sugjerimet dhe opinionet e shoqërisë civile dhe personave të tjerë që përfshihen në fushën e ekonomisë.

“Ideja e paraqitjes së strategjisë kombëtare për zhvillim dhe po ashtu për reformat ekonomike është që të marrim sugjerimet, rekomandimet dhe opinionet e juaja mbi masat e përzgjedhura në këto dy dokumente”, tha Marmullakaj.

Ndërsa Valdete Idrizi, drejtoreshë ekzekutive e Platformës CiviKos tha se përkundër përmirësimit në dy vitet e fundit të pjesëmarrjes së shoqërisë civile në dokumente të ndryshme kjo ende mbetet një sfidë.

“Vlen të theksohet se pasi që ndoshta dy vitet e fundit ka pas përmirësim në pjesëmarrje në shoqërinë civile në dokumente të ndryshme strategjike megjithatë ende është sfidë shumë e madhe edhe kthimi i përgjigjes së institucioneve”, tha Idrizi.

Habit Hajredini, drejtor i Zyrës për Qeverisje të Mirë në Zyrën e Kryeministrit, tha se konsultimi me shoqërinë civile u mundëson institucioneve të jenë sa më transparente.

“Është shumë e rëndësishme që konsultimi i gjerë me shoqërinë civile të fillojë qysh në fazën fillestare, kur të fillojë të hartohet një strategji ose çfarëdo që ka të bëjë me institucionet për të qenë i hapur dhe transparent” , tha Hajredini.