Natalya Apostolova | Foto: KALLXO.com

Zyra e BE-së në Kosovë nuk e ndërlidh taksën ndaj Serbisë me liberalizimin e vizave

Zyra e Bashkimit Europian në Kosovë, në një përgjigje për KALLXO.com, ka përsëritur qëndrimin kundër taksës 100 për qind ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnjës, por nuk ka theksuar nëse kjo çështje ndërlidhet me liberalizimin e vizave për kosovarët.

“BE përsërit shqetësimin e saj të vazhdueshëm lidhur me vendosjen e tarifës 100% për mallra nga Serbia dhe Bosnje dhe Hercegovina. Siç është theksuar tashmë në shumë raste, kjo është një shkelje e qartë e Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë të Europës Qendrore (CEFTA), ajo bie ndesh me frymën e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit dhe ndikon negativisht në bashkëpunimin rajonal”, thuhet në përgjigjen e BE-së.

Përveç çështjes së taksës, Zyra e BE-së në Kosovë është përgjigjur në një paragraf të veçantë për liberalizimin vizave, duke thënë se ky proces tanimë është në duar të Këshillit dhe Parlamentit Europian.

“Komisioni Europian konfirmoi në korrik 2018 se Kosova ka përmbushur të gjitha standardet e udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave dhe i ka rekomanduar Këshillit dhe Parlamentit Europian të vazhdojë me propozimin e Komisionit. Tani është në Këshill dhe Parlament Europian që të marrë një vendim”, thuhet në përgjigjen e tyre për KALLXO.com.

Javën e kaluar KALLXO.com ka dërguar pyetje në Zyrën e BE-së në Kosovë, nëse taksa ndaj produkteve serbe është kusht i BE-së për liberalizimin e vizave, përderisa kjo Zyrë ka kthyer përgjigje sot (e martë).

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ditë më parë kishte deklaruar se e Bashkimi Europian nuk do marrë vendim për liberalizim të vizave, nëse mbetet në fuqi taksa ndaj Serbisë.

“Vazhdimësia e kësaj gjendje, mendoj që nuk do t’i sjellë fare të mira Kosovës, institucioneve të vendit. Mund të kemi masa të cilat do të mund të ndërmerren në ditët dhe javët e ardhshme. E para, nga BE nuk do të ketë në asnjë rrethanë vendim për liberalizimin e vizave, nëse taksa mbetet në fuqi”, ishte shprehur presidenti në një intervistë në RTK.

https://kallxo.com/thaci-nese-nuk-pezullohet-taksa-ndaj-serbise-nuk-do-te-kete-liberalizim-te-vizave/

Në anën tjetër, përkundër presioneve nga të gjitha anët, kryeministri Ramush Haradinaj po këmbëngulë se nuk do ta heq taksën deri në njohjen e Kosovës nga ana e Serbisë.

 

https://kallxo.com/haradinaj-ti-kryejme-temat-e-renda-pastaj-shkojme-ne-zgjedhje/

www.kallxo.com