Salih Zyba LVV

Zyba: Thaçi po i bënë presion Haradinajt për taksën

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Salih Zyba tha sot se presidenti i vendit, Hashim Thaçi është duke i bërë presion kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj me standarde të dyfishta të largojë taksën 100 për qind ndaj produkteve serbe.

“Presidenti në mënyrë pa precedent akuzoi institucionet e vendit me shantazh, kryeministrin, pra lidhur me rritje të kontrabandës. Nëse çdo ditë bëhet thirrje për heqje apo pezullimin e taksës prej presidentit tek kryetari i Kuvendit, tek ekipi negociator, si mund të presim që zyrtarët që përballen me kontrabandën do t’i qëndrojnë presioneve nga grupet financiare dhe kriminale”, tha Zyba.

Ai shtoi se kontrabanda po i pengon Thaçit në kohën kur PDK-ja po kërkon pezullimin e saj.

“Kontrabanda po i pengon pikërisht në kohën kur ai dhe partia e tij PDK po kërkojnë pezullimin e taksës ndaj Serbisë, sepse nuk e kemi dëgjuar asnjëherë më parë këtë konkluzion, as kur ka qenë kryeministër. Po e shantazhon kryeministrin me standarde të dyfishta”, tha Zyba.

Deputeti i VV-së po ashtu tha se prezencën e shumë produkteve serbe në Kosovë, po e lejojnë shumë institucione.

“Sipas linjës së përgjegjësive, këtë gjë po e lejojnë Ministria e Financave, Dogana dhe Njësiti Anti-Kontrabandë. Institucionet përgjegjëse për taksën duhet të jenë më vigjilente se kurrë, kanë për detyrë ta zbatojnë ligjin, por pavarësisht kësaj po dëgjojnë presidentin”, tha Zyba.

Ai para gazetarëve ka treguar edhe disa produkte të cilat sipas Vetëvendosjes po manipulohen.

I pyetur se a kanë pasur takim me Doganën në lidhje me këtë çështje, ai tha se kanë kërkuar përgjegjësi në lidhje me këtë.

“Kemi kërkuar nga Dogana, ne i kemi dokumentet, në mënyrë zyrtare ka hapësirë për zgjedhje selektive, kemi kërkuar përmes komisionit parlamentar për të dhëna shtesë”, tha Zyba.