Militantë të panjohur në Siri | Foto nga materiale propagandistike të ISIS

Zvicra kundër riatdhesimit dhe gjykimit të luftëtarëve të IS-it

Zvicra preferon që qytetarët e saj të cilët luftojnë për grupin militant “Shteti Islamik” të gjykohen në vendin ku gjenden dhe jo të riatdhesohen në vendlindje për t’u përballur me akuzat penale, tha ministrja e Drejtësisë e Zvicrës, Karin Keller-Sutter.

“Për mua, parësore mbetet siguria e popullit të Zvicrës dhe forcave të sigurisë”, tha ministrja Keller-Sutter.

Deklaratat e ministres zvicerane kanë shpërfaqur mosgatishmërinë e shteteve evropiane për t’i riatdhesuar qytetarët e tyre që janë pjesë e grupit militant “Shteti Islamik”.

Forcat e mbështetura nga Shtetet e Bashkuara synojnë të fitojnë kontrollin e enklavës së fundit që zotëron grupi militant “Shteti Islamik”, dhe kjo po konsiderohet të jetë fitorja përfundimtare ndaj grupit militant.

Ditë më parë edhe ministri i Jashtëm i Gjermanisë tha se është “shumë e vështirë” të organizohet riatdhesimi i shtetasve europianë, të cilën në Siri i janë bashkuar grupit militant “Shteti Islamik”.

Një kthim mund të jetë i mundur vetëm nëse “ne mund të garantojmë se këta njerëz do të ndalohen dhe do të dërgohen këtu në gjykatë”, tha Heiko Maas për televizionin ARD.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump ka deklaruar se “kalifati” i grupit militant, Shteti Islamik është në prag të kolapsit dhe u bëri thirrje aleatëve europianë “të marrin” mbi 800 militantë që janë kapur në Siri.

“Shtetet e Bashkuara po kërkojnë nga Britania, Franca, Gjermania dhe aleatët e tjerë europianë që të marrin mbi 800 luftëtarë (të ISIS-it) që janë kapur në Siri dhe t’i gjykojnë ata”, ka shkruar Trump në Twitter.

Shtetet e Bashkuara kanë vendosur të tërhiqen nga Siria. (REL)