Zvarritja e Përmbarimit Pas Ndërhyrjes së Prokurorisë

Ndërmarrja Publike Banesore ka vite që po kërkon borxhin prej 318 mijë eurosh nga kompania “Lesna”, mirëpo edhe përkundër vendimeve të plotfuqishme të gjykatave nuk ka rritur që t`i marrë mjetet.

Ky borxh, siç transmetoi emisioni “Drejtësia në Kosovë”, e ka zanafillën në vitin 2001. Në këtë kohë, NPB-ja e kishte kontraktuar kompaninë “Lesna” për t`i kryer punimet e parapara me kontratë, por më vonë doli se për punët që ishin kryer ishin paguar 318 mijë euro më shumë në llogari të kompanisë “Lesna”.

Pronarët e kompanisë “Lesna” nuk kanë pranuar të flasin rreth këtij kontesti financiar me Ndërmarrjen Publike Banesore. Por në një përgjigje të shkurtë, Bekim Deshishku nga kjo kompani, e ka mohuar se janë borxhlinj të NPB-së.

“Mos të keqkuptohemi se Lesna nuk ka borxh sa për dijeni, përndryshe NPB i ka borxh Lesnës, por që rasti është përfunduar në gjykatë… Ta dish që NPB është fituese, kurse unë jam i dëmtuar për mbi 500 mijë euro… ta dish që Lesnës ju kanë shkelë të drejtat elementare, këtë e ka konstatuar Gjykata Supreme të bazuar në dokumente…”, ka thënë Deshishku.

Pas shumë vitesh e procedurash gjyqësore, rasti mori epilog në favor të Ndërmarrjes Publike Banesore dhe “Lesna” sipas vendimeve gjyqësore obligohet që t`ia kthejë paratë Ndërmarrjes Publike Banesore.

Pasi rasti kishte shkuar në përmbarim, dy kërkesa për mbrojtje të ligjshmërisë ishin deponuar në Gjykatën Supreme nga ana e Prokurorit të Shtetit, bazuar në kërkesën e kompanisë “Lesna”.

Prokurori i Shtetit Besim Kelmendi, siç transmetoi “Drejtësia në Kosovë”, pasi ka marrë shkresat e lëndës kishte dorëzuar kërkesat për mbrojte të ligjshmërisë në Gjykatën Supreme.

Siç tregoi hulumtimi, përkundër këtyre kërkesave Gjykata Supreme e ka lënë në fuqi vendimin e gjykatës së shkallë së dytë, me të cilin aktgjykim “Lesna” duhet t`ia kthejë borxhin NPB-së.

Deklaratat rreth kësaj çështjeje mund t’i ndiqni në linkun e mëposhtëm: