Mbledhja e komisionit | Foto: KALLXO.com

ZRRE: I Vështirë Kompensimi për Faturat e Veriut

Arsim Janova, ushtrues detyre i kryesuesit të ZRrE-së tha se është i vështirë kompensimi i qytetarëve për faturimin e rrymës nga veriu i vendit.

Janova kompensimin e konsideroi të vështirë në mbledhjen e  Komisionit për Zhvillim Ekonomik.

“Vështirë është të kompensohet kjo çështje. Ose ne duhet të ju përcaktojmë veriut një tarifë më të lartë për ta kthy atë borxh”, tha Janova.

Pyetje për kompensimin e qytetarëve shtroi anëtarja e komisionit Mimoza Kusari- Lila.

Gjykata themelore dhe ajo e apelit i kanë vënë masë të përkohshme pagesës së faturave të energjisë në veri nga konsumatorët tjerë, pasi këtë çështje e ngriti Avokati i Popullit.

Hykmete Bajrami, anëtarja tjetër e komisionit pyeti zyrtarët e Operatorit të Sistemit, Transmisionit dhe Tregut (KOSTT) dhe ZRrE-së a ka pasur operatorë ilegalë në veri të vendit edhe në furnizim.

“ZRrE ka evidencë që furnizimi është bërë drejtpërdrejt prej operatorëve tonë”, tha Janova.

Ndërsa Ilir Shala, drejtor ekzekutiv në KOSTT tha se veriu është furnizuar me eneregji të tërhequr nga rrjeti europian.

“Prej 2 dhjetorit 2017 nuk kemi ble energji për komunat veriore. Kemi furnizu edhe pjesën veriore nga energjia që kemi tërhequr nga rrjeti europian. Borxhi ndaj Europës është 130 gigavat në orë që i bie 5 milionë”, tha Shala.

Duda Balje u tha zyrtarëve të ZRrE-së dhe KOSTT-it se qytetarët janë dëmtuar financiarisht dhe moralisht, ndërsa deklaroi se në veri qytetarët thonë se e kanë paguar rrymën dhe kanë fatura.

“A kemi bërë shkelje të të drejtave të njeriut këtë ende nuk e ka thënë gjykata. Ne prej dhjetorit e kemi hjek tarifën”, tha Arsim Janova.