Ilustrim: Poqi elektrik

ZRrE: Reduktimet e rrymës nga KEDS, të kundërligjshme

Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRrE) ka vlerësuar se reduktimet e energjisë elektrike nga KESCO/KEDS janë në kundërshtim me dispozitat ligjore në fuqi.

“ZRRE vlerëson se veprimet e tilla të KESCO/KEDS lidhur me reduktimet e energjisë elektrike janë në kundërshtim me dispozitat ligjore në fuqi, si dhe në kundërshtim me vendimin e Bordit të ZRrE-së V 1065_2018  të datës 30 tetor 2018″, thuhet në njoftimin e ZRrE-së.

ZRrE i ka tërhequr vërejtjen Operatorit për Furnizimi me Energji (KESCO) dhe atij për Distribuim të Energjisë (KEDS) për ndërprerjen e menjëhershme të reduktimeve dhe mos aplikim të ndërprerjeve të planifikuara të energjisë elektrike në emër të mirëmbajtjes gjatë sezonit të dimrit, me përjashtim të mirëmbajtjeve të domosdoshme pa të cilat mund të rrezikohet sistemi apo siguria e furnizimit me energji elektrike.

Gjatë procesit të vazhdueshëm të monitorimit të furnizimit me energji elektrike, ZRrE ka konstatuar se KESCO dhe KEDS janë duke aplikuar reduktime të ashpra të furnizimit me energji elektrike në shumë pjesë të vendit.

ZRrE ka rikujtuar KEDS-it dhe KESCO-s edhe njëherë se gjatë përcaktimit të të hyrave të lejuara maksimale për të gjithë sistemin e energjisë, përfshirë prodhimin dhe importin, ka lejuar mjete financiare të mjaftueshme për mbulimin e kostove për furnizim të rregullt (pa reduktime) me energji elektrike për të gjithë konsumatorët.

Me këtë rast, ZRrE i ka tërhequr vërejtjen KEDS-it dhe KESCO-s se në rast të mos zbatimit të këtyre kërkesave, në përputhje me dispozitat ligjore të nenit 55 dhe 57 të Ligjit për Rregullatorin e Energjisë dhe Rregullës mbi Masat Administrative dhe Gjobat, do të aplikoj masa adekuate.