Zyra e Prokurorit Disiplinor | Foto: "Drejtësia në Kosovë"

ZPD: Gjyqtari Shabani Kreu Sjellje të Pahijshme

Konstatimin se gjyqtari i Gjykatës Themelore në Ferizaj-Dega në Shtërpcë Adem Shabani ka kryer sjellje të pahijshme, Zyra e Prokurorit Disiplinor ia bëri të ditur Zyrës Ligjore të BIRN dhe Internews Kosova, kur u pyet prej saj për këtë çështje.

“Zyra e Prokurorit Disiplinor ka përfunduar hetimin disiplinor, sipas detyrës zyrtare bazuar në informatat e pranuara nga emisioni “Drejtësia në Kosovë”, të datës 28 tetor 2016. Hetimi disiplinor ka rezultuar me gjetje të sjelljes së pahijshme të kryer nga Adem Shabani, gjyqtar në Gjykatën Themelore në Ferizaj, Dega në Shtërpcë,” thuhet në shkresën e Zyrës së Prokurorit Disiplinor që ka pranuar Zyra Ligjore e BIRN dhe Internews Kosova.

Në Emisionin e 28 tetorit “Drejtësia në Kosovë” shfaqi hulumtimin në të cilin u zbulua se prokurori i Prokurorisë Themelore në Ferizaj Visar Musa kishte drekuar me Raif Ramën, personin ndaj të cilit kishte ngritur aktakuzë.

Musa kishte thënë për “Drejtësinë në Kosovë” se ishte në dijeni se po takohej me të akuzuarin, por sqaroi se takimi ishte iniciuar nga gjykatësi Shabani që ka miqësi me të akuzuarin Rama.

Takimi ishte  konfirmua edhe nga gjykatësi Adem Shabani, por ai duke e pranuar se të akuzuarin Rama e ka të afërm, duke thënë se qëllimi i takimit nuk ishte ndikimi në prokurorin Musa.

‘Dreka e Gabuar’ e Prokurorit me të Akuzuarin

Prokurori Visar Musa disa javë pas shfaqjes së emisionit ku u zbulua se ai drekoime të akuzuarin, paraqiti dorëheqjen në Këshillin prokurorial të Kosovës.

http://kallxo.com/jep-doreheqje-prokurori-qe-drekoi-te-akuzuarin/

Dorëheqja e Musës u miratua më 30 nëntor në mbledhjen e Këshillit Prokurorial të Kosovës.

http://kallxo.com/miratohet-doreheqja-e-prokurorit-qe-drekoi-te-akuzuarin/

Adem Shabani është kandidat për kryetar të Gjykatës Themelore në Ferizaj-Dega në Shtërpcë.

KALLXO.com kur shkroi për disa kandidatë për kryetarë gjykatash ndaj të cilëve ka masa disiplinore, ose janë iniciuar masa të tilla, nëpërmjet Zyrës për Informim të Gjykatës në Ferizaj e pyeti gjyqtarin Shabani se a e pengon në këtë kandidaturë hetimi për shkelje disiplinore nga Zyra e Prokurorit Disiplinor.

“Përderisa nuk ekziston një vendim përfundimtar lidhur me inicimin e kësaj procedure, vlerësoj se nuk do te këtë ndikim në përzgjedhjen time si mbikëqyrësi i degës se gjykatës ne Shtërpcë,” tha Shabani në përgjigjen e dërguar me anë të zyrtares për informim të Gjykatës në Ferizaj, Albënora Bekteshi.

http://kallxo.com/kandidate-mase-qortimi-ne-garen-per-kryetare-te-gjykatave/

Emisioni “Drejtësia në Kosovë” është shpallur fitues për storien më të mirë televizive në garën për çmimin kundër korrupsion për vitin 2016 që ndahet çdo vit nga Agjencia Kundër Korrupsionit dhe UNDP-ja pikërisht me hulumtimin e titulluar “Prokurori Drekon me të Akuzuarin”.

“Drejtësia në Kosovë” ka raportuar edhe për dyshimet për korrupsion në Prokurorinë e Prizrenit, ku prokurori i krimeve të rënda Bajram Hamitaga pritet të përballet me procedura gjyqësore pasi ndaj tij rëndojnë akuza se ka kërkuar para nga pala që e ka akuzuar.