Zotim Për Vazhdim të Protestave Kundër Pronto 2

Organizatorët paralajmëruan për nesër protestën radhës.

“Qysh prej fillimit të protestave ne jemi zotuar që do të vazhdojmë protestat, prandaj duke respektuar këtë zotim do të organizohemi sërish nesër për protestë në orën 17:00 te sheshi ‘Zahir Pajaziti’,” tha Edona Bajrami, njëra nga organizatoret.

Roland Sylejmani, një organizator tjetër, tregoi arsyet e mbajtjes së konferencës për medie.

“Sot e kemi thirrë këtë konferencë për media me qellim të artikulimit të kërkesave tona, gjithashtu me i shpalos hapat tonë se çka do të bëjmë,” tha Sylejmani.

Protestat nisën në javën e parë të gushtit, disa ditë pasi platforma online Insajderi filloi publikimin e bisedave telefonike të përgjuara në mes të zyrtarëve të lartë të PDK-së dhe shtetit, në të cilat ata merreshin vesh mes tjerash edhe kë ta punësojnë e kë ta largojnë nga puna.

“Javëve të fundit jemi dëshmitarë të publikimeve të prontos të cilat edhe një herë vetëm na kanë konfirmuar nivelin e lartë të krimit, korrupsionit dhe nepotizmit, i cili është shtrirë në të gjitha institucionet shtetërore, administratë publike si dhe borde të ndërmarrjeve publike përmes emërimit të individëve në bazë të influencës së grupeve të interesit klaneve të tjera,” tha në konferencë Edona Bajrami.

Ajo bëri të ditur se një mënyrë e tillë e qeverisjes e shkatërron shtetin.

“Kjo formë e punësimit pa kriter deri më tani ka shkatërruar institucionet e shtetit tonë duke i bërë ato defunksionale, apo duke i kthyer në shërbime të interesave të ngushta,” shtoi Bajrami.

KALLXO.com ndoqi protestat e deritashme të organizuesve të konferencës së sotme.

Dje Gjykata Themelore në Prishtinë refuzoi kërkesën e avokatëve të Adem Grabovcit, protagonistit kryesor të bisedave të përgjuara që të ndalet publikimi i tyre.

http://kallxo.com/kerkesa-e-grabovcit-pergjimet-duhej-te-asgjesoheshin/