Punimet në Zllakuqan | Foto: Komuna e KLinës

Zllakuqani i Klinës pas 28 ditësh me kanalizim

Komuna e Klinës njofton se kanë filluar punimet për ndërtimin e rrjetit të kanalizimit në fshatin Zllakuqan.

Ky rrjet që filloi sot të ndërtohe,t do shtrihet përmes lagjes “Pataqan” dhe pritet të realizohet brenda 28 ditësh, bën të ditur njoftimi i Zyrës së Informimit në Komunës e Klinës.

Punimet e këtij rrjeti të kanalizimit kanë filluar në praninë e kryetarit të Komunës, Zenun Elezaj dhe drejtorit të Urbanizmit në Klinë, Lorenc Malekut.

“Me rregullimin  këtij kanalizimi do të plotësohet një nevojë e kahershme dhe tepër imediate e këtij komuniteti, të cilët kanë vuajtur shumë nga kundërmimi që është shkaktuar nga depërtimi i ujërave të zeza nëpër pronat e tyre”, tha Elezaj, sipas njoftimit.

Në njoftim thuhet se kryetari Elezaj u zotua që do të kryhen projekte aty ku nuk kishte investime komunale.

“Ky investim është investimi infrastrukturor i parë në Pataqan, me ç’rast ne do t’u japim prioritet atyre vendeve, sikurse kësaj lagjeje, në të cilën nuk është bërë deri me tashmë asnjë investim”, citohet të ketë thënë Elezaj.

Sipas njoftimit, rrjeti i kanalizimit me gjatësi 2696 metra, do t’i kushtojë buxhetit komunal 58.255 mijë euro, ndërsa punimet nga kompania “Alti Com” pritet të përfundojnë brenda 28 ditësh.