Foto: Ilustrim

Zjarrfikësit nga të enjten protestojnë, kërkojnë paga dhe kushte për punë

Zjarrfikësit e Kosovës të enjten do të protestojnë për kushtet e tyre të punës dhe paga e ulëta. Kështu kanë bërë të ditur në një konferencë për media drejtuesit e Sindikatës së zjarrfikësve.

Muharrem Beka, nga Sindikata e Zjarrfikësve tha se ata janë duke funksionuar pa kushtet elementare të punës së tyre, pasiguri të punëtorëve, numër të vogël, mungesë të pajisjeve personale të sigurisë, mos kompensim të pagës për ditët e punës në fundjavë e në festa, orar të stërzgjatur e shumë probleme të tjera të cilat sipas kryetarit të sindikatës së zjarrfikësve janë akumuluar për rreth një dekade.

“Shërbimit të zjarrfikësve po i bëhen shkelje ligjore, andaj ne me 12 korrik në ora 10 do të dalim në protestë. Kemi shumë arsye ta bëjmë këtë pasi institucionet na kanë injoruar e përbuzur. Gjithashtu, edhe grupet parlamentare pasi ju kemi shkruar shumë herë, por askush nuk po merret me neve” tha Beka.

Ai përmendi kërkesat e zjarrfikësve, të cilat duhet t’u plotësohen sipas tyre.

“Rregullimi i statusit juridik, të definohet kompetenca menaxhuese, të shqyrtohet ligji i pagave, të sigurohet vijë buxhetore, të përmirësohen kushtet e punës, të kenë rroba mbrojtëse, pajisje të sigurta për punë”, tha Beka, i cili shtoi se këto kërkesa duhet të merren parasysh nga Qeveria, Ministria e Punëve të Brendshme, Ministria Administratës Publike dhe Asociacioni i Komunave të Kosovës.

I pyetur nëse do të hyjnë në grevë, Beka ka thëne se zjarrfikësit nuk do të hyjnë në grevë pasi bartin në vete mision që është shpëtimi i jetës së qytetarëve, kurse do të protestojnë deri në plotësim të kërkesave të tyre.

“Protesta do të jetë e qetë, por nëse nuk plotësohen kërkesat tona forma e protestës mund të ndryshojë dhe ndoshta do të ketë forma të ndryshme të shprehjes së pakënaqësisë, kurse grevë ne nuk mund të mbajmë pasi nuk na lejon uniforma dhe misioni ynë, siguria e qytetarëve është para nesh” shtoi Beka.

Kjo protestë e zjarrfikësve mbështetet edhe nga Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), këtë e tha nënkryetarja e sindikatës Lonora Lokaj.

“Ne si sindikatë e përkrahim protestën e zjarrfikësve, të cilëve duhet t’u jepet siguri në punë dhe duhet të punojnë në përputhje me ligjin e punës, t’u kompensohet paga për vikende e ditë festive dhe ne do të përkrahim çfarëdo forme të protestës nga ana e zjarrfikësve”, potencoi Lokaj.