Ndërtesa Vijecnica e Sarajevës e përfshirë nga flakët në 1992. Foto ekrani YouTube

Zjarrfikësit e Sarajevës Kujtojnë Qytetin në Flakë

Në gusht bëhen 24 vjet që nga një prej muajve më të tmerrshëm për zjarrfikësit e Sarajevës, kur Vijecnica (bashkia e qytetit), si dhe një galeri arti pranë selisë ushtarake në qendër të qytetit morën flakë dhe nëntë prej kolegëve të tyre u plagosën.

Gjatë rrethimit të Sarajevës, që zgjati nga viti 1992 deri në vitin 1995, tetë zjarrfikës u vranë dhe 57 u lënduan, ndërsa shuanin zjarret, të ekspozuar çdo ditë ndaj sulmeve me granata dhe snajper.

Sipas Brigadës se Zjarrfikësve në Kantonin e Sarajevës, një ekip me mesatarisht 10 zjarrfikës u desh të luftonte me 1,700 zjarre për më shumë se një vit në fillim të rrethimit. Brigada thotë se në kohë paqeje zjarrfikësit normalisht nuk janë marrë ndonjëherë me kaq shumë incidente në 32 vite punë.

Ismet Tucak, komandanti i Brigadës së Zjarrfikësve në Kantonin e Sarajevës, tha se djegia e Vijecnicës ishte përvoja më e vështirë për të, pasi ndjeu se nuk ishte në gjendje ta shpëtonte këtë simbol të qytetit.

“Ngado binin granata. Nuk kishim ujë. Gjithçka kishte marrë zjarr. Kupola, holli, gjithçka ishte djegur”, kujton Tucak.

“Materiale binin nga sipër, por s’mund të bëja asgjë. Nuk i afroheshim dot as nga ana tjetër, sepse do të na vrisnin snajperët”, tha ai.

Bashkia e qytetit mori flakë në fund të gushtit 1992, pasi qyteti ishte sulmuar nga pozicionet që mbaheshin nga forcat serbe të Bosnjës.

Një nga nëntë zjarrfikësit që u plagosën ndërsa fiknin zjarrin në Galeri të njëjtin muaj ishte Admir Begoviç.

Pasi çoi kolegët e tij të plagosur në spital, ai vuri re se ishte plagosur edhe në këmbë.

“Pasi shpërtheu zjarri në galeri, ne shkuam atje që të përpiqeshim ta shuanim. Por granatat filluan të binin njëra pas tjetrës. U plagosa gjatë kohës që isha në papafingo”, tha Begoviç.

“Mendova se më kishte hyrë ujë në çizme. Megjithatë, kur hoqa çizmen, vura re që ajo ishte plot me gjak. Një copë predhë me kishte hyrë në kockë. Më shkaktoi shumë dëme edhe në muskuj”, shtoi ai.

Begoviç tha se edhe sot kur kalon para selisë së ushtrisë ai shikon nga çatia ku ishte kur pa kolegët e tij të plagosur dhe gjakun përreth tyre.

Viti më i tmerrshëm

Omer Setiç, zv/komandanti i Brigadës së Zjarrfikësve të Kantonit të Sarajevës, tha se thirrjet më të vështira i patën në vitin 1992.

“Çfarëdo që mund të kishte marrë zjarr, të gjitha ato gjëra me rëndësi, në fund të atij viti ishin djegur. Në këto ndërtesa përfshiheshin hotele, salla ‘Zetra’, ndërtesa e shërbimeve elektrike, një pjesë e Spitalit Ushtarak. Ato pak ndërtesa që ngelën të padjegura, mbaruan në vitin 1993”, tha Setiç.

Në fillim të luftës, Brigada e Zjarrfikësve kishte 30 persona, risjell në mendje ai, dhe në disa raste, disa zjarrfikës nuk shkonin në shtëpi për pesë ditë me radhë, sepse kishin shumë punë.

Ai tha se ndonjëherë makinat e zjarrfikësve ktheheshin plot me vrima plumbash pas lajmërimeve për rënie zjarri.

“Vrimat bëheshin nga copa granatash dhe plumba. Pasi shuanin zjarret, automjetet ktheheshin me goma të rëna. Në shumë raste, ata madje detyroheshin t’i linin makinat në një vend të caktuar. Më pas, mekanikët shkonin atje gjatë natës për t’i riparuar ato dhe i rikthenin më pas në bazë”, kujton Setiç.

Ai tha se zjarrfikësit që punonin gjatë rrethimit kanë përjetuar eksperienca që disa të tjerë as që mund t’i marrin me mend.

“Ndërhyrjet që ata bënë gjatë luftës janë diçka që s’i përjeton kurrë në kohë paqeje edhe nëse jeton njëqind vjet”, shpjegoi ai.

Përveç fikjes së zjarreve dhe sigurimit të ujit për banorët e Sarajevës, zjarrfikësit gjithashtu shpëtuan njerëz që kishin ngelur nëpër ndërtesa që kishin marrë flakë ose që ishin dëmtuar nga bombardimet.

Tucak kujton evakuimin e një djali dyvjeçar dhe motrën e tij nga rrënojat, pasi një granatë kishte goditur shtëpinë e tyre, kishte vrarë prindërit dhe të gjithë anëtarët e tjerë të familjes së tyre.

Nxjerrja e dy fëmijëve nga rrënojat

Ai tha se jeta për të s’pati më asnjë kuptim në çastin që dëgjoi zërat e fëmijëve poshtë rrënojave.

“Vetëm një budalla do të kishte hyrë në atë vend. Një panel prej çimentoje nga çatia qëndronte varur pas murit. Një lëvizje e vogël e gabuar, lëvizja e ndonjë tulle, mund të të vriste”, rikujton ai.

“E ngrita derën me kokë dhe shtyva një bllok muri nën të. Atëherë pashë një djalë të vogël biond. Ai po nxirrte shkumë nga goja. U përpoqa ta nxirrja, por nuk mundesha, sepse këmbët i kishte poshtë diçkaje. Kisha frikë se mos i nxirrja legenin nga vendi. Kështu që e shtyva edhe pak më tej me kokë derën, që të mund t’i liroja këmbët. Më pas, e nxora me ngadalë jashtë. Ai merrte ende frymë”, tha ai.

Pasi shpëtoi djalin, Tucak arriti të shpëtonte dhe motrën e tij gjashtëvjeçare, e cila ishte pa ndjenja.

“E dashuroj këtë punë, sepse Zoti më dha mundësinë të bëj diçka të tillë”, tha ai.