
Zjarrfikësit reagojnë pas shpërthimit të zjarrit në kopshtin e fëmijëve - Foto: KALLXO.com
Zjarr në një Kopsht Fëmijësh në Prishtinë
Një zjarr ka shpërthyer në një kopsht fëmijësh në lagjen “Arbëria” në Prishtinë.
Lajmin për KALLXO.com e konfirmoi Afrim Gashi nga Njësia e Zjarrfikësve në kryeqytet.
Sipas Gashit, Zjarrfikësit janë informuar për një zjarr që ka shpërthyer në ora 15:16 në brendi të kopshtit “Shkronjat”, që gjendet në lagjen “Arbëria”.
Po ashtu, incidentin e ka konfirmuar për KALLXO.com edhe Arbenita Basha, drejtoreshë e kopshtit “Shkronjat”
Sipas Bashës, në fikjen e zjarrit kanë reaguar edhe stafi i kopshtit, i cili, sipas saj, ka qenë i trajnuar për situata të tilla.
Zjarri është shkaktuar nga kabllot e rrymës elektrike, te kutia e siguresave.
Zyrtari i Zjarrfikësve tha për KALLXO.com se fëmijët dhe personeli i kopshtit janë evakuuar me kohë dhe se askush nuk është lënduar. Këtë e konfirmoi edhe drejtoresha e çerdhes.
Zjarrfikësit janë kthyer në bazën e tyre.
Ndërkohë, në fotografitë që në KALLXO.com i ka dërguar një qytetar shihet ekipi i Zjarrfikësve me mjetet e tyre për fikjen e zjarrit në oborrin e kopshtit.