Hulumtimi për industrinë e gomës. Foto: KALLXO.com

Zhvillim nga Industria Kimike dhe e Gomës

Departamenti i Industrisë në Ministrinë e Tregtisë në bashkëpunim me Programin e Kombeve të Bashkuara për Zhvillim kryen një hulumtim të këtyre sektorëve të financuar nga Ministria e Punëve të Jashtme së Finlandës.

Hulumtimi u zhvillua me qëllim të ofrimit të ndihmës në hartimin e politikave dhe identifikimin e sfidave, barrierave dhe vështirësive që kanë bizneset në sektorin e industrisë kimike dhe atë të gomës e plastikës si dhe gjetja e mënyrave dhe ndërmarrja e masave për të ofruar konkurrueshmëri në tregun vendor dhe atë evropian.

Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë Hykmete Bajrami tregoi se pse ky hulumtim, rezultatet e të cilit u paraqitën sot, është i rëndësishëm.

“Ne si politikëbërës kemi mundësi që të shohim se cilat janë përparësitë dhe cilat janë barrierat në këta sektorë shumë të rëndësishëm. Kjo punë është tepër e rëndësishme edhe për faktin se ne si Ministri e Tregtisë dhe Industrisë jemi duke e hartuar strategjinë për zhvillimin e sektorit privat dhe kjo është një mundësi që të ndërmarrim masa në strategji për eliminimin e të gjitha barrierave në rritjen e këtij sektori,” tha Bajrami.

Ministrja tha se kompanitë e këtyre dy sektorëve po kanë sukses.

“Ajo se çka është pozitive dhe që del nga ky studim është se shumica e kompanive janë themeluar në dy apo tre vjetët e fundit dhe kanë potencial pozitiv dhe kanë shënuar rritje të shitjeve dhe rritje të gjenerimit të vendeve të reja punës nga këta sektorë,” tha ministrja Bajrami.

Andrew Russell, koordinator i OKB-së për zhvillim dhe përfaqësues i përhershëm i UNDP-së në Kosovë, korrupsionin e konsideroi problem serioz.

“Korrupsioni vazhdon të jetë i theksuar jo vetëm në këta sektorë, por edhe në sektorë të tjerë. Prandaj, ky raport paraqet një mundësi shumë të mirë në identifikimin e sfidave dhe barrierave që po kalojnë këta dy sektorë,” tha Russell.

Sipas Russell-it deri më tani nga Programi për Zhvillim janë krijuar më shumë se 1,300 vende pune për vitin 2015.

Anne Huhtamäki, ambasadore e Finlandës në Kosovë, tha se ky hulumtim është një projekt me rezultate konkrete dhe se këta sektorë kanë potencialin për përmirësimin e punësimit.

“Ky hulumtim është një ndër projektet me rezultate konkrete. Ne po e ndërtojmë rrugën që Kosova t’i përshtatet MSA-së. Sektori i industrisë kimike dhe ai i gomës dhe plastikës kanë potencialin për përmirësimin e punësimit, gjithashtu kanë potencialin për eksport,” tha ambasadorja finlandeze Huhtamäki.

Ambasadorja Huhtamäki gjithashtu tha se bashkëpunimi i deritanishëm ndërmjet Kosovës dhe Finlandës ka qenë i suksesshëm dhe se qeveria finlandeze do të vazhdojë të mbështesë Kosovën në proceset integruese evropiane.

Hulumtimi për sektorët e industrisë kimike dhe të gomës e plastikës është realizuar nga anketimi i 225 bizneseve që merren me këtë veprimtari.

Këta sektorë kanë të punësuar 1,730 punëtorë, kryesisht meshkuj me kualifikim të mesëm.

Dallimi ndërmjet importit dhe eksportit për produktet kimike në Kosovë është i lartë. Vetëm 3 për qind e importeve të përgjithshme janë mbuluar nga i gjithë eksporti për vitin 2015.