FOTO ARKIV
Zhushi: Aktakuza e ngritur ndaj meje është hakmarrje për mosakreditim të programeve
Në gjykimin e ish-zyrtarëve të Agjencisë së Akreditimit, të akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe marrje të ryshfetit, procesi ka vazhduar me dhënien e mbrojtjes nga e akuzuara Ferdije Zhushi.
Ish-kryetarja e Komisionit Shtetëror të Cilësisë (KSHC), gjatë kësaj seance u përgjigj në pyetjet e prokurorit dhe të trupit gjykues.
Ajo aktakuzën e ngritur ndaj saj e cilësoi si hakmarrje dhe shantazh për mosakreditim të kolegjeve ISPE dhe Universum.
“Krejt ky proces është hakmarrje dhe shantazh për mosakreditimin e programit master në sigurime të Kolegjit ISPE. Qëndrueshmërinë e vendimit të KSHC-së për atë program e kanë verifikuar edhe vendimet pasuese të KSHC-së me përbërje krejt tjetër pas shkuarjes time”, deklaroi ajo.
Kurse në raport me Kolegjin Universum ajo tha se nga pronarët e këtij kolegji ka pasur presione të vazhdueshme por që asnjëherë nuk ka rënë pre e tyre.
“Sa i përket Kolegjit Universum, unë kam treguar edhe më herët që prej vitit 2010 e deri në largimin tim prej Agjencisë kam pasur presione të vazhdueshme prej tyre për t’i ndryshuar vendimet e akreditimit, dërgim të njerëzve të ndryshëm për të ma ndryshuar mendjen dhe joshje me dhurata të ndryshme nga familja Berisha, dhe meqë të gjitha këto nuk kanë pasur sukses kanë zgjedhur rrugën e shantazhit dhe akuzimit në Gjykatë”, tha e akuzuara.
Ajo shtoi se çdo gjë e thënë kundër saj është shpifje nga ana e pronarëve të Kolegjit Universum.
“Unë mbes në bindjen time dhe të vërtetën se të gjitha çka janë deklaruar janë shpifje dhe kjo është dëshmuar edhe në deklarata e tyre të cilat vazhdimisht i kanë ndryshuar sipas disponimit”, u shpreh Zhushi.
Në lidhje me ankesat të cilat mund të kenë rezultuar nga palët e pakënaqura, ajo tha se KSHC-ja i ka shqyrtuar këto ankesa në shkallë të parë ndërsa në shkallë të dytë ka vendosur Gjykata.
“Procedura e ankimimit është e rregulluar me akte nënligjore, prandaj KSHC-ja është instanca e parë për të vendosur në lidhje me ankesa pasi që sipas ligjit është ai që ka vendosur dhe instanca e dytë është Gjykata”, tha Zhushi.
Më tej e akuzuara duke u përgjigjur në pyetjet e prokurorit special Naim Abazit, sqaroi se ekspertët e jashtëm janë pjesë administrative e Agjencisë të cilët japin rekomandimet e tyre në lidhje me akreditimin apo jo të institucioneve por që ky rekomandim i tyre nuk është vendimtar pasi që sipas saj është KSHC-ja ajo që merr vendimin final.
“Ekspertët vetëm japin rekomandime prandaj raporti i ekspertëve nuk është vendimtar, dhe sipas të gjitha akteve nënligjore është KSHC-ja ajo që merr vendim me shumicën e votave”, u përgjigj ish-kryetarja e KSHC-së.
Prokurori special Zhushin e pyeti edhe se ku i kanë mbajtur takimet me pronarët e kolegjeve.
Për çka ajo u përgjigj se këto takime gjithnjë janë zhvilluar në zyre, por më pas prokurori të akuzuarën e pyeti nëse kishte vepruar njëjtë edhe me pronarin e kolegjit ISPE, Avni Mazrrekun, me të cilin sipas prokurorit, e akuzuara kishte pasur një takim në një kafene.
E një gjë të tillë e mohoi e akuzuara e cila tha se nuk kishte qenë takim i planifikuar më herët por më tepër kishte qenë një ndërhyrje nga ana e pronarit të kolegjit ISPE.
“Ndërsa me pronarin e kolegjit ISPE Avni Mazrrekun jeni takuar në restorantin A&A në Prishtinë, për ndryshim nga takimet e tjera që po thoni se i keni pasur në zyrë“, i tha prokurori të akuzuarës.
“Jemi takuar, por nuk ka qenë takim i aranzhuar ka qenë një ndërhyrje nga ana e tij”, ishte përgjigjja e të akuzuarës.
Zhushi e mohoi se gjatë këtij takimi/ndërhyrje të jetë diskutuar ndonjëherë në lidhje me ndonjë shumë të të hollave.
“Asnjëherë nuk kam marrë pjesë në asnjë takim ku janë përmendur të hollat dhe në takimin-ndërhyrja siç e quajta më lartë nuk janë përmendur të hollat dhe kam qenë nervoz për shkak se nga praktika ime nuk jam takuar me institucione në kohën kur kanë filluar proceset e vlerësimit për akreditim”, shtoi më tej ajo.
Prokurori i çështjes të akuzuarës i parashtroi pyetje edhe në lidhje me rekomandimin pozitiv, të cilin tha se e kishin dhënë ekspertët e jashtëm në lidhje me akreditimin e programeve të Kolegjit ISPE, por që KSHC-ja më pas kishte vepruar ndryshe nga vendimi i ekspertëve, duke marrë vendim negativ në lidhje me akreditimin e programeve të këtij kolegji.
“Rekomandimi i ekspertëve për këtë kolegj ka qenë pozitiv duke dhënë rekomandim që të akreditohet për dy vite, ndërsa ju keni marrë vendime negative, a ka ndodhur kështu?”, iu drejtua prokurori të akuzuarës.
“Rekomandimet e eksperteve janë vetëm rekomandime ndërsa vendimet i merr bordi i KSHC-së. Kjo nuk ka ndodhur vetëm për Kolegjin ISPE por edhe për disa kolegje të tjera për shkak se Agjencia ka të drejtë t’i verifikojë faktet që i paraqesin institucionet ndërsa për informatë ky program së bashku me disa programe të tjera, është suspenduar tërësisht për shkak të mungesës së stafit”, u përgjigj Ferdije Zhushi.
Prokurori Zhushit pastaj i rikujtoi një rast tjetër për të cilin tha se në mbledhjen e KSHC-së ishte vendosur që Kolegji Universum të riakreditohej për pesë vite, po ashtu në këtë mbledhje ishte marrë vendim që të riakreditoheshin edhe dy programe të tjera, pastaj edhe një program i ri, e ndër të tjera në këtë mbledhje tha se ishin refuzuar edhe tri programe, e të gjitha këto vendime sipas prokurorit KSHC-ja i ka arsyetuar duke u bazuar në raportin e ekspertëve.
Në lidhje me këtë Ferdije Zhushi tha se KSHC-ja është bazuar në rekomandimin e ekspertëve por po ashtu ka marrë për bazë edhe informatat shtesë dhe se çdo vendim i KSHC-së është marrë me vota anonime dhe me shumicë votash.
“Unë e kam cekur edhe më herët se problemi më i madh ka qenë deklarimi i rrejshëm në lidhje me stafin, kështu që institucionet kanë deklaruar diçka tjetër në letër ndërsa gjendja faktike ka qenë tjetër, prandaj ne kemi qenë të obliguar që të verifikojmë dhe për marrje të vendimit jemi shërbyer edhe me rekomandime e edhe me informata shtesë”, deklaroi ajo.
Ajo shtoi se në vitin 2016 pasi që është krijuar një softwer për verifikimin e të dhënave shumë programe të kolegjeve private janë mbyllur si rezultat i mungesës së stafit dhe deklarimeve të rrejshme lidhur me staf, duke përfshirë këtu kolegjet ISPE dhe Universum.
Në këtë proces gjyqësor Basri Muja dhe Ferdije Zhushi ngarkohen për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar në bashkëkryerje dhe në vazhdim dhe për marrje të ryshfetit në vazhdim dhe bashkëkryerjeje.
Ndërsa Armend Muja akuzohet për marrje të ryshfetit në vazhdim dhe bashkëkryerje.
Në kohën për të cilën akuzohen, Basri Muja ishte drejtor i Agjencisë së Kosovës për Akreditim, ndërsa Ferdije Zhushi zyrtare e kësaj Agjencie.
Ferdije Zhushi-Etemi që ishte kryetare e Bordit të Agjencisë Kosovare për Akreditim dha dorëheqje nga kjo pozitë në shtator të vitit 2015, pak ditë pasi ndaj saj u ngrit aktakuza.
Ajo bashkë me Armend Mujën, një ish-punonjës në UNDP u arrestuan në nëntor të vitit 2014.
Për këtë rast i akuzuar ishte edhe Naim Braha që ngarkohej për dhënie të ryshfetit, por Brahës i është vjetërsuar lënda.
KALLXO.com ka shkruar në vazhdimësi për këtë proces gjyqësor.