Foto:KALLXO.com

Zhurma nga kafenetë, problem për banorët në Prishtinë

Zhurma nga muzika e lartë që vjen nga kafenetë përgjatë rrugës ‘Fehmi Agani’ në kryeqytet ka qenë problem i kamotshëm i banorëve përreth.

Një qytetar ka raportuar në KALLXO.com së në vazhdimësi në orët e vona të mbrëmjes, zakonisht gjatë vikendeve, janë përballuar zhurmë që vjen nga niveli i lartë i zërit të muzikës.

Lidhur më këtë problem, KALLXO.com ka kontaktuar me Policinë e Kosovës, si organ kompetent në ruajtën e qetësisë publike.

Policia e Kosovës në një përgjigje për KALLXO.com ka thënë së kanë mbajtur një plan operativ, që me ç’rast, Stacioni Qendra ka shqiptuar gjithsej 42 kundërvajtje për prishje të rendit dhe qetësisë publike.

“Ju njoftojmë se gjatë periudhës 06.02.2019-06.03.2019 stacioni Qendra ka implementuar Planin Operativ “Kontroll e lokaleve të natës për zhurma PRQP“  ku në asistencë kanë qenë edhe Inspektorët Komunal dhe të njëjtit kanë shqiptuar gjoba ndaj lokaleve për tejkalim të orarit të punës ,për pirje të duhanit në ambiente të mbyllura etj., ndërsa Stacioni Qendra ka shqiptuar gjithsej 42 (dyzet e dy) kundërvajtje për Prishje të Rendit dhe Qetësisë Publike”, thotë Policia..

Gjithashtu, në një përgjigje të Policisë thuhet se gjatë periudhës janar-mars 2018 janë shqiptuar 77 kundërvajtje për prishje të rendit dhe qetësisë publike ndërsa në periudhën e njëjtë janar-mars 2019 janë shqiptuar gjithsej 81 kundërvajtje, në krahasim me përqindje 5.19 % rritje gjatë vitit 2019.

Sipas tyre, Stacioni policor Qendra vazhdon të jetë i përkushtuar në eliminimin e kësaj dukurie dhe është gjithmonë në mbështetje të qytetarëve në mënyrë që të njëjtit të jetojnë në një ambient sa më të qetë dhe të sigurt.

Ligji për Rend dhe Qetësi Publike 03/L-142, neni 8 thotë se  1. Kushdo që shkakton zhurmë të panevojshme dhe të padurueshme e cila mund të dëgjohet nga banorët rreth ose në rrugë dhe që shqetëson personat e tjerë ndërmjet orëve 22:00 të mbrëmjes dhe orës 07:00 të mëngjesit gjatë ditëve të javës, dhe mes orëve 23:00 të mbrëmjes dhe orës 07:00 të mëngjesit të shtunave dhe të dielave do të dënohet për kundërvajtje. 2. Nëse kundërvajtjet e parashikuara në paragrafin 1 të këtij neni bëhen nga një person fizik, ai/ajo do të dënohet me gjobë prej tridhjetë (30)€ deri në pesëqind (500)€. 3. Nëse kundërvajtjet e parashikuara në paragrafin 1 të këtij neni bëhen nga pronari ose personi përgjegjës i një biznesi, ai/ajo do të jetë përgjegjës për ndëshkimin me gjobë prej njëqindepesëdhjetë (150)€ deri në shtatëqind (700 )€.