Zhbogar: MSA Konfirmim i BE-së për Kosovën

Rëndësia ekonomike përveç asaj politike e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit (MSA) është diskutuar në një tryezë të organizuar nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GPLS) dhe Instituti i Prishtinës për Studime Politike (PIPS) me temën “Si ta shndërrojmë MSA-në në një proces për reforma thelbësore në Republikën e Kosovës?”.

Në fillim të diskutimit, Visar Korenica, nga GPLS, tha edhe pse ekzistojnë disa defekte në MSA-në për Kosovën, ky dokument ka për qëllim ta ndihmojë vendin drejt anëtarësimit në BE.

“Pavarësisht që MSA për Kosovën ka disa defekte që janë reflektuar nga pesë vendet që nuk e kanë njohur Kosovën, megjithatë ky mbetet një dokument që ka për qëllim final anëtarësimin e Kosovës në Bashkimin Evropian”, tha Korenica.

Ai gjithashtu tha se eksperiencat e vendeve të rajonit tregojnë se sa më shumë që ka angazhim të të gjithë spektrit politik për ta përshpejtuar këtë proces, aq më e shkurtër do të jetë rruga e anëtarësimit në BE.

Ndërsa, Samuel Zhbogar, shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, tha se kjo Marrëveshje është një konfirmim nga BE për Kosovën në rrugën e saj drejt integrimit evropian.

“MSA-ja është e rëndësishme edhe politikisht edhe ekonomikisht. Është marrëveshja e parë kontraktuale ndërmjet BE-së dhe Kosovës. Gjithashtu tregon qartë perspektivën evropiane të Kosovës”, tha Zhogar. [interaction id=”5719156034cf298c45b7ffc1″]

Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian gjithashtu përmendi përfitimet ekonomike që sjell kjo Marrëveshje.

“Në aspektin ekonomik qëllimi kryesor i kësaj Marrëveshjeje është pozicionimi i ekonomisë kosovare në tregjet ndërkombëtare, duke ndihmuar në përmirësimin e bilancit tregtar dhe të ju ndihmojë që të eksportoni”, tha Zhbogar.

“MSA do të krijojë kushte për investime atraktive që krijojnë vende të punës duke ofruar siguri ligjore për bizneset dhe qytetarët”, tha ai.

Në anën tjetër, kryeministri Isa Mustafa tha se Kosova me nënshkrimin e MSA-së ka nënshkruar një prej dokumenteve më të rëndësishëm pas shpalljes së pavarësisë dhe se hap rrugën për një proces të reformave thelbësore.

“Unë vlerësoj se Kosova me nënshkrimin e Marrëveshjes për Stabilizim-Asociim e ka nënshkruar një prej dokumenteve më të rëndësishme pas shpalljes së pavarësisë sonë. Ky dokument hapë rrugë për një proces të reformave thelbësore”, tha kryeministri Mustafa.

Sipas tij, elementet më të rëndësishme janë relacionet kontraktuale, të cilat ne duhet t’i zhvillojmë si marrëveshje bilaterale të Stabilizim Asociimit, relacione tregtare, asistenca financiare, bashkëpunimi rajonal dhe relacione të mira fqinjësore.

Kryeministri theksoi se do të bëhet fokusimi në rritjen e prioriteteve, në reduktimin e shpenzimeve buxhetore, në mbështetjen e sektorit të biznesit dhe në rritjen e investimeve të huaja, veçmas në përgatitjen e kompanive vendore për tregun evropian.

“Në kriteret ekonomike, ajo që ne e kemi paraparë të bëjmë me program në suaza të reformës do të fokusohemi në rritjen e prioriteteve, si konsolidimi i mëtejmë i sektorit fiskal, me synim të reduktimit të shpenzimeve publike dhe të deficitit buxhetor, pastaj forcimit të stabilitetit financiar, edhe pse e kemi mjaft mirë, dhe të atij bankar, qeverisjes korporative të ndërmarrjeve publike, mbështetjes së sektorit të biznesit, rritjes së investimeve të huaja dhe veçmas përgatitjes së kompanive tona për eksport dhe për konkurrencë si dhe rritjes së konkurrencës së produkteve tona në tregun evropian, sepse tani do të dalin në një treg që së paku do të ketë rreth 500 milionë banorë”, tha Mustafa.

Mirëpo, lideri i LVV-së, Visar Ymeri tha se Bashkimi Evropian dhe diskursi për integrim më shumë tingëllojnë si mit sesa diskutim politik.

“Kur flitet për BE-në, BE merr karakterin e një parajse, parajsë që na premtohet pas aderimit dhe se Bashkimi Evropian është përdorur si një lloj flamuri pas të cilit janë fshehur të pabëmat e politikanëve dhe Qeverive të Kosovës”, tha Ymeri.

Ai po ashtu tha se kjo Marrëveshje më shumë do ta dëmtojë sesa ndihmojë Kosovën në rrugën për në BE dhe zhvillim ekonomik.

Ndërsa, nënkryetari i AAK-së, Ardian Gjini, tha se Kosova ka bërë hapa të gabueshëm dhe se ka humbur besimi i qytetarëve në institucione dhe humbjes së besimit të ndërsjellët mes forcave politike.

“Procesi i integrimit ështëi pamjaftueshëm që ta nxjerrë Kosovën nga kriza politike”, tha Gjini.

Kryetari i Këshillit Kombëtar të NISMA-së, Jakup Krasniqi, tha se kjo Marrëveshje ka shumë mangësi. Madje sipas tij, mangësia qëndron në zhvillimin ekonomik dhe pasigurinë në investime.

“Kosova e ka këtë nivel të zhvillimit ekonomik tepër të ulët edhe në saje të gjatë këtyre viteve nuk ka pasur siguri në investime në vend”, tha Krasniqi.

Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, tha se MSA do të bëjë hapjen e një tregu më të gjerë si një ndikim në zhvillimin e vendit.

“Marrëveshja e Stabilizim-Asosciimit neve na ofron një perspektivë ekonomike, meqë do të hapet një treg i gjerë dhe konkurrues, veçanërisht bizneset tona do të jenë pjesë e kësaj konkurrence dhe pjesë e këtij tregu, ku do të kenë ndikim të drejtpërdrejt në zhvillimin e vendit tonë”, tha Veseli.

MSA u nënshkrua më 27 tetor, u ratifikua më 2 nëntor, ndërsa më 1 prill ka hyrë në fuqi.

Kosova ka lidhur marrëveshje për 99.7 për qind të produkteve të saja dhe se është marrëveshja e parë kontraktuale ndërmjet BE-së dhe Kosovës.