Zgjidhja te Fqinjët për Mungesë Rryme në Objektin e Prokurorisë

Hulumtimi i ekipit të “Drejtësia në Kosovë”, solli faktet se si prokurorët nga qyteti që ka shkallën më të lartë të kriminalitetit shpeshherë nuk kanë energji elektrike në objektin e ri dhe atyre u duhet dalin në “kojshi” për t`i shtypur kërkesat urgjente për caktimin e paraburgimeve.

Prokurorët e Pejës sipas Agron Galanit, kryeprokuror, vazhdojnë të jenë në hall të madh sepse nëse ata janë duke intervistuar të dyshuar, apo duke kryer punë urgjente të prokurorisë dhe ndërpritet rryma puna duhet ndalur, e prokurorët duhet të gjejnë zgjidhje duke i shënuar deklaratat me dorë, apo diku në “kojshi”.

“E kemi një agregat, por nuk i plotëson kushtet dhe nuk kemi mundur ta aktivizojmë,” tha Galani.

Naim Bërdynaj, administrator i kësaj prokurorie tregoi se prokurorët shpeshherë palët i marrin në pyetje duke mbajtur shënime me laps. Ai ka deklaruar se shpesh për t`i shtypur kërkesat për caktimin e paraburgimit, prokurorët detyrohen të dalin te fqinjët për t’i shtypur ato.

“Ky është një problem shumë i theksuar te ne, për shkak se sot e kësaj dite ne nuk e kemi një gjenerator për furnizimin me energji elektrike kur nuk ka rrymë. Palët befasohen kur i shohin prokurorët që mbajnë shënime me laps, na thonë qysh një institucion kaq i rëndësishëm në shekullin XXI me mbet kështu. Kojshitë qeshin me neve, kur prokurorët dalin me printuar diçka edhe ata shprehin habi qysh një institucion si prokuroria me mbet kështu,” deklaroi administratori Bërdynaj për “Drejtësia në Kosovë”.

Bërdynaj tregoi se disa herë kanë kërkuar nga Sekretariati i Këshillit Prokurorial që t`u bëhet një zgjidhje për gjeneratorin. Por zgjidhja ende nuk është bërë.

Në Sekretariatin e Këshillit Prokurorial të Kosovës, përgjegjësinë për mungesën e gjeneratorit e bartin te Ministria e Administratës Publike, pasi sipas tyre kjo ministri në projektin e ndërtimit ka pasur për obligim ta sigurojë edhe gjeneratorin për këtë objekt.

“Në të gjitha prokuroritë i kemi bartur projektet kapitale te MAP-i, ata kanë qenë të obliguar që t`ua sigurojnë edhe gjeneratorin. Rast konkret e kemi në Gjilan, MAP-i e ka ndërtuar objektin edhe e kanë gjeneratorin funksional. Njëjtë është dashur edhe me objektin në Pejë,” tha Ardian Bajoku nga Sekretariati i Këshillit Prokurorial.

Ministria e Administratës Publike përgjegjësinë për mungesën e një gjeneratori për Prokurorinë e Pejës e bart tek Këshilli Prokurorial.

“Gjeneratori s`ka qenë i paraparë në projektin e ndërtimit të këtij objekti dhe tani MAP-i nuk menaxhon me atë objekt,” thuhet në përgjigjet me shkrim të MAP-it për “Drejtësia në Kosovë”.