Zgjidhen Senatorët nga 12 Fakultete

Në garën për senator të Ekonomikut në balotazh kishin shkuar Skender Ahmeti dhe Myrvete Badivuku. Ahmeti u tërhoq nga gara më 22 janar, ndërsa Badivuku para tri ditësh.

Lajmin se zgjedhjet në këtë fakultet do të mbahen sot e konfirmoi për KALLXO.com sekretari i Universitetit të Prishtinës Esat Kelmendi.

“Kandidatët në balotazh në fakultetin ekonomik kanë dhënë dorëheqje dhe si rezultat sot do të mbahen zgjedhjet ndërkaq të premten do të shpallen rezultatet përfundimtare,” tha Kelmendi.

Zgjedhjet për senatorë, për anëtarë të Këshillave të fakulteteve, një anëtari të Këshillit të Fakultetit nga administrata dhe 2 përfaqësuesve në nivel të administratës së UP-së për anëtarë të Senatit u mbajtën më 19 janar.

Atë ditë u zgjodhën senatorët e 6 njësive akademike nga 13 sa i ka UP-ja. 7 njësitë ku nuk mundën të zgjidhen senatorët, u zhvillua balotazh.

http://kallxo.com/6-fakultete-te-up-se-zgjedhin-senatoret/

Sekretari i Universitetit të Prishtinës Esat Kelmendi tregoi rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve në fakultetet tjera, përveç atij ekonomik.

Rezultatet përfundimtare tregojnë se në Fakultetin Filozofik për senatore është zgjedhur Jehona Lushaku me 26 vota, në Fakultetin e Arteve Ismet Jonuzi me 38 vota, në Fakultetin e Bujqësisë dhe Veterinarisë Kurtesh Sherifi, 32 vota, Fakultetin e Edukimit Fizik Adem Nura, 23 vota, tha Kelmendi.

Sipas tij në FShMN fitoi Enver Sherifi me 45 vota, në Fakultetin e Filologjisë Avni Visoka 34 vota, në Fakultetin e Edukimit Naser Pajaziti me 22 vota, në Fakultetin Juridik Avni Pukame 45 vota, në Fakultetin e Ndërtimtarisë dhe Arkitekturës Naser Kabashi me 19 vota, në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike Sabrije Osmanaj me 20 vota, Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike Musli Bajraktari me 20 vota dhe në Fakultetin e Mjekësisë Myrvete Paçarada me 135 vota.

Këto zgjedhje janë mbajtur në kuadër të zgjedhjeve të përgjithshme dhe të parakohshme të UP-së, ku pas kompletimit të senatorëve pritet të bëhet zgjedhja e dekanëve nëpër secilën njësi akademike të UP-së.