Kryebashkiaku i Tepelenës Tërmet Peçi duke folur para mbështetësve të vet në kishën e Shën Nikollës në Lekël. Foto: Tërmet Peçi në Facebook

Zgjedhjet në Shqipëri, fushatë në kishë

Në dy deklarata të ashpra, Kisha Orthodokse e Shqipërisë kritikoi përdorimin e kishave nga dy kandidatë socialistë për fushatën elektorale, duke e quajtur një sjellje të tillë “të papranueshme”.

 

Kisha Orthodokse shqiptare kërkoi nga “politikanët” të mos përdorin mjedise kishtare për aktivitete politike pas dy rasteve në të cilat, kandidatë socialistë për kryebashkiakë folën për mbështetësit e tyre nga brenda kishave.

“Përdorimi i ambienteve të brendshme të kishave të shenjta për aktivitetet politike në fushatat zgjedhore përbën një fyerje të ndjenjave fetare komunitare dhe institucionale,” shkruhet në njoftimin e kryepeshkopatës të publikuar të hënën.

Të dielën, në një deklaratë të veçantë, Mitropolia e Shenjtë e Apollonisë dhe e Fierit kritikoi një intervistë të kryer nga televizioni personal i kryeministrit Edi Rama me kandidaten socialiste për kryebashkiake në Roskovec, intervistë e kryer gjithashtu në mjediset e një kishe.

“Përdorimi i tyre për motive të tilla përbën së pari një Sakrilegj ndaj vendeve të Shenjta dhe fyerje të ndjenjave të besimtarëve, pasi ato janë vend lutje dhe adhurimi,” thuhet në njoftim.

Kryebashkiaku i Tepelenës Tërmet Peçi, i cili po garon për mandatin e tretë për Partinë Socialiste në zgjedhjet që janë bojkotuar nga opozita kryesore, u shfaq duke folur para mbështetësve të tij nga altari i një kishe mesjetare në fshatin Lekël ndërsa Majlinda Bufi, kryebashkiake e Roskovecit, dha një “intervistë” për ERTV, televizionin personal në internet të kryeministrit Edi Rama.

Sipas Mitropolisë, në të dyja rastet nuk kishte leje të dhënë nga kisha.

“Përdorimi i tyre për motive të tilla përbën së pari një Sakrilegj ndaj vendeve të Shenjta dhe fyerje të ndjenjave të besimtarëve, pasi ato janë vend lutje dhe adhurimi,” thuhet në deklaratë, e cila i konsideron ngjarjet gjithashtu si një shkelje të marrëveshjes së vitit 2009 mes shtetit shqiptar dhe kishës orthodokse.

Pas deklaratave, Bufi, kryebashkiakja e Roskovecit deklaroi se kisha ku ajo dha intervistën është “monument kulture’ dhe si e tillë, i përket Ministrisë së Kulturës.

Marrëdhëniet mes kryeministrit aktual Edi Rama dhe Kishës Orthodokse kanë qenë të tensionuara që nga viti 2015, kur inspektorati ndërtimor shembi një kishë në fshatin Dhërmi si “ndërtesë ilegale”, duke shkaktuar zemërimin e besimtarëve si dhe të shtetit grek.