Ndërtesa e Universitetit të Prizrenit | Foto: KALLXO.com

Zgjedhja e rektorit, fundi i odisesë 1-vjeçare

Ka kaluar 1 vit që kur kishte filluar procesi për zgjedhjen e rektorit të Universitetit “Ukshin Hoti” në Prizren.

Këshillit Drejtues i UPZ-së  më 22 maj 2018 në rundin e dytë të votimeve kishte zgjedhur profesorin Ismet Temaj rektor të këtij Universiteti.

Kjo zgjedhje ishte kundërshtuar duke filluar nga sekretari i Universitetit të Prizrenit, Burim Berisha. Shumë ankesa kishte pasur edhe ish-rektori Ramë Vataj.

KALLXO.com ka raportuar që nga qershori i vitit 2018 rregullisht për problematikën dhe për zhvillimet në Universitetin e Prizrenit.

Në tetor të vitit 2018 Gjykata e Prizrenit kishte marrë vendim të ndalë ekzekutimin e vendimit të Këshillit Drejtues të Universitetit të Prizrenit “Ukshin Hoti” për zgjedhjen e Ismet Temajt në postin e rektorit.

Ramë Vataj kishte paditur Universitetin e Prizrenit, përkatësisht Këshillin Drejtues, lidhur me zgjedhjet për rektor që u mbajtën në maj të vitit 2018.

Në aktvendimin e Gjykatës të datës 8 tetor “urdhërohet Universitetit të Prizrenit ‘Ukshin Hoti’ të shtyjë ekzekutimin e vendimit të Këshillit Drejtues të datës 30 maj 2018’.

Në shkurt të vitit 2019,  Gjykata e Prizrenit e ka mbyllur rastin,  dhe e ka hedhur poshtë padinë e ish-rektorit Ramë Vataj.

Arsyet  kryesore për të cilat Gjykata ka refuzuar kërkesë-padinë, është fakti që ende pa u përfunduar kjo çështje kontestimore në Gjykatë, Këshilli Drejtues i Universiteti e ka njoftuar Gjykatën se e kanë anuluar vendimin me të cilin ishte bërë zgjedhja e rektorit Ismet Temaj.

Gjykata  ka anuluar aktvendimin me të cilin ka caktuar masën e përkohshme, meqenëse vendimi i cili ishte kontestues nuk ekzistonte më andaj edhe masa e përkohshme e vendosur më herët nuk kishte më efektin e saj.

Këshilli Drejtues i Universitetit “Ukshin Hoti” në mbledhjen e mbajtur në dhjetor të vitit 2018, kishte  zgjedhur për ushtrues detyre të rektorit prof. dr. Ismet Temajn.

Këtë detyrë Temaj do ta ushtronte deri në zgjedhjen e rektorit. Në po atë mbledhje Këshilli Drejtues kishte anuluar edhe vendimin e datës 22.05.2018 për zgjedhjen e rektorit, me çka edhe procedura që zhvillohej pranë Gjykatës ka marrë epilog.

Në dhjetor të vitit 2018, studentët e Universitetit të Prizrenit, kishin dalë në protestë me disa kërkesa që përfshinin shkarkimin e Këshillit Drejtues të këtij Universiteti.

Madje në këtë protestë, studentët kishin paralajmëruar edhe bojkotim të procesit mësimor, në rast të mospërmbushjes së kërkesave të tyre.

Në prill të këtij viti, Këshilli Drejtues hapi konkursin për zgjedhjen e rektorit të ri.

Më 6 maj ishin mbajtur intervistat e 5 kandidatëve: Ismet Temaj, Kadri Kryeziu, Naser Pajaziti, Bekim Berisha dhe Hamdi Hoti.

Të njëjtën ditë ishte e paraparë të mbahej edhe votimi i Këshillit Drejtues.

Por votimi fillimisht ishte shtyrë për datën 8 maj.

Por të njëjtën ditë kur ishte bërë intervistimi i kandidatëve, më 6 maj, në një fotografi tashmë rektori i zgjedhur Ismet Temaj shihej në oborrin e Universitetit në shoqërinë e vëllait të Fatmir Limajt, Demir Limaj, I cili është I angazhuar si profesor në këtë Universitet.

Votimi më 8 maj nuk ndodhi. Shtyrja misterioze e votimit erdhi në momentet e fundit, megjithëse Këshilli Drejtues vetë kishte paralajmëruar këtë datë për votim dhe kishin dëgjuar prezantimin e pesë kandidatëve për rektor.

Kryesuesi i Këshillit Drejtues, Bedri Muhadri kishte treguar arsyet e shtyrjes.

“Ne kemi bërë gabim që nuk e kemi qitë në shtyp si informacion për shkak se disa profesorë kanë pasë me udhëtu jashtë, dhe nuk bëhet sot votimi. Sigurisht kanë pasur ndërkohë iu kanë ardhë, ku me ditë çka kanë pasë obligime shtesë. Mbledhjen e kemi shty për javën tjetër. Ata janë në udhëtim zyrtar, të premten kthehen”, tha Muhadri.

Ai kishte thënë se nuk e dinte sa pjesëtarë të KD-së kanë udhëtuar e as arsyen specifike.

Përfundimisht, më 14 maj u vendos të mbahej mbledhja e Këshillit Drejtues me pikën e vetme – votimi për rektor të Universitetit.

Në këtë mbledhje morën pjesë 8 anëtarë nga Këshilli Drejtues, në mungesë të anëtarit Ragip Xhoshaj, i cili sipas drejtuesit Bedri Muhadri gjendej në një udhëtim studimor.

Nga 9 anëtarët e Bordit, 7 kanë të drejtë vote dhe në mungesë të Ragip Xhoshajt, 6 anëtarët me të drejtë vote, që të gjithë i dhanë votën kandidatit Ismet Temaj.

Bedri Muhadri, Isak Hoxha, Artan Nimani, Parim Kosova, Soner Yildrim dhe Ylli Kortoçi votuan për kandidatin Ismet Temaj.

Kështu pas plot 1 viti zhvillimesh e paqartësish mori fund odiseja e zgjedhjes së rektorit të Universitetit të Prizrenit.