Zëvendëspresidenti i Parlamentit Europian porosit rektorin Dema: Prodhoni studentë për t’u punësuar
Zëvendëspresidenti i Parlamentit Europian, Rainer Wieland, sot vizitoi rektoratin e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” ku u takua me rektorin Marjan Dema.
Dema informoi vizitorët për progresin që ka shënuar UP-ja duke thënë se rrugëtimi i tij është histori suksesi.
“Ne kemi bërë progres në disa fusha por, mbi të gjitha, kemi krijuar standarde të aplikueshme në mënyrë të barabartë për të gjithë,” tha Dema duke theksuar se UP-ja është në proces të transformimit të tij.
Në anën tjetër, zëvendëspresidenti Wieland tha se është shumë i lumtur, për faktin që krijimi i standardeve zuri vend në fjalën prezantuese të rektorit Dema.
“Prodhoni studentë për t’u punësuar, prodhoni studentë të gatshëm për jetë si dhe të vullnetshëm për të kontribuuar dhe prosperuar,” ishte porosia e z. Wieland për menaxhmentin e universitetit.
Pas vizitës në rektorat, zëvendëspresidenti Wieland vizitoi edhe Fakultetin Juridik, ku ligjëroi para studentëve të UP-së temën me titull “Bashkimi Evropian – dje, sot, nesër”.
Wieland, përveç funksionit si zëvendëspresident në Parlamentin Evropian, është edhe anëtar i Komitetit të Peticioneve.