Policia në Graçanicë - Foto: Arkiva/KALLXO
Zëvendësministri Shoqërohet në Polici
Në minutat e parë të ditës së sotme ka ndodhur një përleshje në Graçanicë, në të cilën sipas policisë janë përfshirë gjashtë persona.
Zëdhënësja e Policisë në Rajonin e Prishtinës Florie Ahmeti tha për KALLXO.com se tre nga të përfshirët në përleshje janë shoqëruar në stacion policor.
“Rreth orës 00:30 në Graçanicë ka pasur një përleshje në të cilën janë të përfshirë gjashtë persona. Tre nga ta janë shoqëruar në stacionin policor dhe pas intervistimit me urdhër të prokurorit janë liruar në procedurë të rregullt”, tha Ahmeti.
Në polici rasti është hapur si lëndim trupor.
KALLXO.com mësoi se i dyshuar për përfshirje në këtë përleshje ishte edhe zëvendësministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale Boban Stankoviq.
KALLXO.com kontaktoi kabinetin e zëvendësministrit Stankoviq, por zyrtarë të këtij kabineti nuk kishin informata për këtë ngjarje.
“Për besë nuk kemi asnjë informacion në lidhje me rastin që po pyesni”, thanë në kabinetin e zëvendësministrit.