Kryeministri shqiptar, Edi Rama dhe ai kosovar, Ramush Haradinaj - Foto: Facebook

Zëvendësministra nga Kosova në Qeverinë Rama 2

Në Qeverinë Rama 2 disa nga zëvendësministrt do të jenë nga Kosova.

Emrat e zëvedësministrave të rinj Rama i prezantoi sot në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste, duke folur edhe fjalë për arritjet e tyre të deritashme.

Sipas Ramës zëvendësministra nga Kosova në qeverinë e tij do të jenë Besa Shahini, Hajrulla Çeku, Valbona Shujaku e Iliriana Bajraktari.

Shahini do të jetë zëvendësministre e Arsimit, Iliriana Bajraktari zëvendësministre e Shëndetësisë, Çeku zëvendësministër i Turizmit dhe Mjedisit, ndërsa Shujaku zëvendësministre e Kulturës.

Besa Shahini emërimin e saj në këtë detyrë në një postim në Facebook e cilësoi tejkalim të kufijve mes Kosovës e Shqipërisë.

“Punën time në Shqipëri e shoh si thellim të bashkëpunimit mes Kosovës dhe Shqipërisë dhe tejkalim të kufijve në interes të përfitimit të përbashkët të shqiptarëve”, shkroi Shahini.