Zëvendës Ministri Kërkon Shkarkimin e Besim Beqajt

Zëvendës Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arbër Geci, ka kërkuar nga kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, që ta largojë nga detyra ministrin e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Besim Beqaj, për shkak të përfshirjes së tij në një aktakuzë të Prokurorisë Speciale.

Geci, i cili është zyrtar i partnerit të PDK-së në koalicionin qeveritar, Aleancës Kosova e Re (AKR), kërkoi nga Veseli që të përdoren standarde të njëjta sikur ditë më parë kur u largua nga detyra ministri i Punëve të Brendshme, Flamur Sefaj.

“Kryeparlamentar Kadri Veseli, është koha të zbatoni standarte të njëjta! Nëse Ministri i MPB-së u dashtë të sakrifikohet pa fajin e tij, sot e keni shansin të mbani fjalën, pa paragjykuar vendimin final të Gjykatës”, tha Geci në një postim në Facebook.

Prokuroria Speciale sot bëri të ditur se e ka ngritur një aktakuzë ndaj 11 personave të përfshirë në aerën e përgjimeve ‘Pronto’.

Në këtë çështje penale janë të akuzuar njëmbëdhjetë persona me funksione të larta zyrtare: ish deputeti Adem Grabovci, ministri aktual Besim Beqaj, deputeti aktual Zenun Pajaziti, dy ish Sekretarë të përgjithshëm I.G. dhe Xh.D., ish zëvendësministër F.Sh., këshilltari politik në MPB S.G., ish drejtori i Bordit të ndërmarrjes publike “Radoniqi-Dukagjini” në Gjakovë I.N., ish drejtori i Bordit të ndërmarrjes publike Hidro-Drini” në Pejë R.A., ish kryesuesi i Kuvendit të Komunës së Prizrenit Nijazi Kryeziu dhe ish shefja e Njësisë për furnizim në Ministrinë e Shëndetësisë A.P.

http://kallxo.com/aktakuze-per-rastin-pronto/