Zeqirja Qazimi Flet për Lavdrim Muhaxherin e Ridvan Aqifin

Imami nga Gjlani, i akuzuar për terrorizëm, ka dalë sot para trupit gjykues, i veshur e mbathur në atlete, për t’u përgjigjur rreth akuzave me të cilat ngarkohet.

Zeqirja Qazimi në pyetjet e avokatit të tij mbrojtës tregoi se edukimin e tij e kishe përfunduar në Egjipt ndërsa pas kthimit në Kosovë ishte bërë imam në Gjilan ne xhaminë El-Kudus me vendim të Bashkësisë Islame të Kosovës.

Qazimi tha se gjithmonë ligjëratat e tij kishin qenë në përputhje me Kur’anin.

“Gjithmonë kam ligjëruar brenda kornizave të Kuranit dhe synetit”, tha ai gjatë marrjes në pyetje sot në Gjykatën Themelore të Prishtinës.

Zeqirja Qazimi po akuzohet nga Prokuroria Speciale e Kosovës për rekrutim për terrorizëm. Së bashku me Qazimin në këtë rast po akuzohen edhe Ilir Berisha, Sadat Topojani, Burim Ballazhi, Jetmir Kyqyku, Liridon Kabashi dhe Ilir Krraba.

Qazimi nuk deshi të deklarohet se a e përkrah luftën në Siri por tha se prej se është ne burg nuk e din se çfarë është duke ndodhur atje në Siri.

Qazimi duke u përgjigjur ne pyetjet e avokatit të tij Murat Demolli se çka kishte nënkuptuar kur kishte thënë se “gjaku i kufarëve është pija më e mirë”, ai tha se këtë e kishte lexuar në një libër të një dijetari dhe se vetëm kishte dashur ta citonte se ekziston ajo thënie pasi që disa hoxhallarë kishin thënë se “nuk është citim i vërtetë”.

Qazimi mohoi që ta ketë ndihmuar ndokënd për të shkuar në Siri.

Prokuroria pretendon se Qazimi e ka ndërruar komandën e ISIS nga Lavdrim Muhaxheri te kosovari tjetër që po lufton në Siri, Ridvan Aqifi me anë të thirrjeve telefonike.

I pyetur nga prokurori Suad Kuraja nëse e njeh Lavdrim Muhaxherin dhe siç e quajti ai hoxhën e nderuar Ridvan Aqifin, ai mohoi të ketë kontaktuar me ta përmes telefonit pasi ata kanë shkuar në Siri.

Por duke folur për Lavdrim Muhaxherin, imami gjilanas tha se nga ajo si e ka njohur ai dhe si flitet në media për të “është sikur të jenë dy persona te ndryshëm”.

“Lavdrimin e njoh si një djalë të qetë e të sjellshëm”, tha Qazimi.

http://kallxo.com/deshmitari-ndryshon-deklaraten-e-tij-ne-gjykimin-e-zeqirja-qazimit/