Begzad Sinani, ish-kryetari i Komunës së Kamenicës - Foto: KALLXO.com

‘Zemra e Plast’ e Kryetarit të Kamenicës

Begzad Sinani ka hyrë në vitin e tretë të qeverisjes së komunës së Kamenicës. Në fund të vitit 2013 ai mori timonin për të drejtuar këtë komunë, pasi që në balotazh kishte fituar ndaj kundërkandidatit të tij Shaip Surdulli nga LDK-ja.

Kur kishte fituar zgjedhjet në atë kohë Begzad Sinani kishte premtuar se komuna e tij do të dukej ndryshe pasi që stadium i qytetit do të rinovohej, palestra sportive do të ndërtohej dhe objekti i komunës do të përfundohej.

Në udhëheqjen e Sinanit vlen të theksohet se janë tri femra që udhëheqin tri drejtori komunale dhe kjo është vlerësuar edhe nga opozita si veprim i duhur për qeverisje të mire.

“Në këtë dy vjeçar si kryetar i kësaj komune, mund të them lirisht se e kam përmbyllur me sukses, flasin faktet sa i përket çështjeve që unë kam potencuar në atë kohë”, ka thënë Sinani në emisionin “Jeta në Komunë”.

Në zgjedhjet e vitit 2013, Sinani kishte premtuar që do të investohej në rinovim të stadiumit të qytetit, e veçanërisht do t’i përkrahte sportistët, e poashtu që do të kompletohej objekti i ri i komunës dhe që do ndërtohej palestra sportive e cila është bërë histori në këtë anë të Anamoravës.

Opozita ia kontestoi angazhimin për ta rregulluar çështjen e furnizimit me ujë të pijshëm në disa fshatra të komunës, por Sinani bën një reagim të çuditshëm.

“Mi pasë dy zemra e dy barka, njanit pa i mshu me pëlcitë nuk e kisha lon”, tha kryetari.

Gjatë debatit Sinani pranoi që nuk është investuar në këto objekte por, sipas tij, komuna nuk ka ndejtur duarkryq lidhur me realizmin e premtimeve, pasi që shumë projekt propozime janë bërë nga komuna dhe pritet që Kamenica më në fund të marrë ndihmë nga donatorë të ndryshëm për realizmin e këtyre premtimeve.

Por sipas asamblistit të LDK-së në opozitë, Jeton Biqkaj, premtimet e Sinanit nuk janë realizuar as 5%. Ai u shpreh se edhe ato që i thotë kryetari se i ka realizuar nuk janë shumë të vërteta pasi që shumë projekte vetëm i ka vazhduar nga qeverisja e kaluar dhe asgjë më shumë.

Pasi që Kamenica ka një klub të atletikës që ka atlet të njohur botëror, Sinani u pyet nga Jeta Xharra nëse komuna i ka dhënë mbështetje këtij klubi gjatë mandatit të tij. Klubi Atletik Rogana ishte shprehur e pakënaqur me përkrahjen financiare pasi që shumë kërkesa u kanë refuzuar.

“Vitin e kaluar i kemi dhënë rreth 3800 Euro, ndërsa ne sa herë kemi pasur kërkesa nga ky klub së bashku me kuvendin e kësaj komune, i kemi aprovuar ato kërkesa”, u përgjigj kryetari Sinani.

Ndërsa lidhur me premtimet për ndërtimin e dy shkollave fillore në Busavatë dhe Krileveë, Sinani tha që shkolla në Busavatë do të ndërtohet këtë vit, ndërsa për shkollën në Krilevë pritet “diçka konkrete vitin që vjen”.

Lidhur me funksionimin e shkollave u ndërlidh Arsim Thaçi nga Vetëvendosje.

“Në shkollën në Roganë as ujë të pijshëm shpesh nuk kanë, Drejtoria përkatëse shpesh çon ujë me cisternë atje”, tha Thaçi.

Kryetari kishte premtuar se do ta shiste edhe xhipin  e komunës i cili në kohën që është blerë ka kushtuar mbi 50,000 Euro, por edhe kjo nuk ka ndodhur.

“Dy herë  e kemi pas në ankand publik, po ka dështu dy herë, por përkundër kësaj unë nuk e kam përdorë atë asnjëherë dhe nuk do ta përdor deri në fund të mandatit”, tha Sinani.

Në debat u ngrit edhe çështja e ndarjes së bursave shkollore, pasi që kur u patën ndarë në vitin 2014, ato ishin kontestuar nga opozita.

Sipas opozitës ndarja e bursave shkollore ka qenë “kryekëput politike”. Opozita thotë se ka pasur shumë padrejtësi në ndarje të këtyre bursave për studentë.

Ndërsa në vitin 2015 komuna kishte planifikuar që nga të hyrat vetanake të ndahen 50,000 Euro për bursa, e kjo nuk ka ndodhur shkaku që kishte hyrë në fuqi ligji për faljen e borxheve dhe komuna nuk kishte inkasuar aq shumë para nga taksat.

Në fund të debatit Begzad Sinani tha që i ka të përpiluara edhe 60 pika të tjera për dy vitet në vazhdim dhe të gjitha këto shqetësime ndërsa premtoi se do t’i adresonte shqetësimet e ngritura nga asamblistët deri në fund të mandatit.

Sinani duket i dorëzuar në shumë nga premtimet që i ka dhënë dy vjet më parë.

Në shumë raste, gjendja nuk është përmirësuar në krahasim me atë që ka qenë para se ai ta marrë pushtetin komunal.

Në disa projekte ai pret financim nga donatorët, por nuk është se mund të bëjë mrekulli me ato donacione.

“Unë Dubai nuk mundem me ba këtu. As Zvicër jo”, tha ai.