Yelizaveta Peskova - Foto: REL/TASS

Zëdhënësi i Kremlinit arsyeton punën e vajzës së tij në Parlamentin Europian

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, ka arsyetuar praktikën e vajzës së tij në Parlamentin Europian, pasi raportimi i Radios Europa e Lirë, për vajzën e tij, ka ngritur shqetësime në mes të ligjvënësve.

“Jemi duke diskutuar për një studente normale dhe një praktikë normale”, ka thënë Peskov, i cili ka qenë zëdhënës i presidentit rus, Vladimir Putin për disa vjet.

Yelizaveta Peskova, 21 vjeçare, punon për anëtarin francez të Parlamentit Europian, Aymeric Chauprade, i cili ka mbështetur hapur vendimin e Rusisë për aneksimin e Krimesë nga Ukraina më 2014.

Emri i Peskovas paraqitet në faqen zyrtare të Parlamentit Europian dhe Chauprade ka konfirmuar për Radion Europa e Lirë se ajo është pjesë e ekipit të tij.

“Kjo ka të bëj me vajzën time, jo me detyrat dhe punën time”, ka thënë Peskov kur është pyetur për këtë çështje në një konferencë me gazetarë.

Disa anëtarë të Parlamentit Europian, të kontaktuar nga Radio Europa e Lirë më parë kanë thënë se nuk kanë qenë në dijeni se vajza e zyrtarit rus është duke punuar në këtë institucion.

Agjencia shtetërore e lajmeve në Rusi, TASS, ka cituar Chauprade të ketë thënë se Peskova dhe praktikantët tjerë nuk kanë qasje ne dokumentet konfidenciale.

Ai ka kundërshtuar kritikat e bëra nga kolegët tij në Parlamentin Europian, duke i cilësuar ato si “rusofobi konspirative”. (REL)