Zëvendësndihmës Sekretari i Shtetit i ShBA-së, Hoyt Yee dhe presidenti maqedonas Gjorge Ivanov - Foto: MIA

'Zbutet' Presidenti Maqedonas

Në atë që dukej si një pozicion i zbutur nga toni i tij i fundit, presidenti maqedonas Gjorge Ivanov tha të hënën se problemet që bllokojnë formimin e një qeverie të re mund të tejkalohen nëse shumica e re në Parlament ofron garanci të forta për ruajtjen e karakterit unitar të vendit.

“Nëse ka një udhëheqje të vërtetë nga krerët e partive parlamentare, pengesat ligjore dhe politike në drejtim të përcaktimit të mandatit për të formuar qeverinë mund të tejkalohen”, theksoi kabineti i Ivanovit pas takimit me zyrtarin e ShBA-së.

Ivanov ka bllokuar formimin e një qeverie të re të koalicionit të udhëhequr nga socialdemokratët që nga 1 marsi, kur ai nuk pranoi t’ia japë mandatin udhëheqësit të partisë Zoran Zaev, pavarësisht se Zaev kishte siguruar mbështetjen e të paktën 67 nga 120 deputetët në Parlament.

“Presidenti Ivanov i kërkon liderit të LSDM-së të përmbushë atë që deklaroi publikisht se, së bashku me partnerët e koalicionit do të ofrojnë garanci për të forcuar unitetin e shtetit dhe se gjithçka do të jetë në përputhje me Kushtetutën e Republikës”, thuhet në kumtesën për shtyp të presidentit.

Presidenti më tej i kërkoi Shteteve të Bashkuara, si “partner strategjik” i Maqedonisë, “të ndihmonte në heqjen e pengesave dhe për t’i mundësuar shumicës parlamentare të marrë mandatin”.

Pas takimit me Yee, Ivanov gjithashtu për herë të parë që nga sulmi i së enjtes në Parlament, dënoi dhunën që ndodhi atje.

Ivanov tha se ai “dënon çdo dhunë politike dhe fizike … dhe theksoi se zgjidhjet duhet të kërkohen vetëm përmes dialogut”, shkroi kabineti i tij, duke shtuar se njerëzit duhet të qëndrojnë të qetë “sepse ka vendime që duhet të merren me arsye dhe përmes dialogut”.

Yee, i cili arriti në Maqedoni të dielën, u takua sot edhe me kryetarin e ri të Parlamentit, Talat Xhaferin.

Xhaferi – zgjedhja e të cilit shkaktoi skenat kaotike të së enjtes – pas bisedimeve të zhvilluara në ndërtesën e Parlamentit, e falënderoi zyrtarin e lartë amerikan dhe tha se do të përpiqet të nisë punën normale në Parlament që nga e marta.

https://kallxo.com/zyrtari-i-larte-i-shba-se-vjen-ne-maqedoni-pas-dhunes-ne-parlament/

Megjithëse shumica e re tani mund të zgjedhë një qeveri pa mandatin presidencial, Xhaferi tha se dëshironte të ndiqte formalitetet dhe t’i jepte Presidentit një shans tjetër për të ndryshuar mendjen duke e informuar atë, përmes një letre, se Zaev gëzon mbështetjen e shumicës në dhomë.

Me ligj, Presidenti ka dhjetë ditë afat për dhënien e mandatit pas marrjes së letrës zyrtare nga kryetari i Parlamentit.

Yee vizitoi një vend ende të tronditur nga sulmet e të enjtes ndaj deputetëve brenda Parlamentit pas zgjedhjes së Xhaferit, kur mbështetësit e ish-partisë qeverisëse VMRO DPMNE u futën brenda ndërtesës.

Protestuesit plagosën më shumë se 100 vetë, duke përfshirë gazetarët dhe të paktën 10 deputetë, për dy orë përpara se të përballeshin me Policinë dhe të largoheshin.

Ministria e Brendshme tha të hënën se kishte ngritur akuza kundër 15 njerëzve dhe kishte arrestuar disa prej tyre.

https://kallxo.com/evakuohen-deputetet-dhe-gazetaret-nga-kuvendi-maqedonas/

Maqedonia është në krizë politike pasi zgjedhjet e parakohshme të 11 dhjetorit nuk dhanë një fitues të qartë. Që atëherë ka qenë e pamundur të formohet një qeveri.

Presidenti Ivanov dhe VMRO DPMNE këmbëngulën se një qeveri e udhëhequr nga socialdemokratët e Zaev do të rrezikonte sovranitetin e vendit, sepse Zaev kishte pranuar disa kërkesa të vendosura nga partitë shqiptare (kryesorja ishte përdorimi më i madh zyrtar i gjuhës shqip).

LSDM këmbëngul që VMRO DPMNE, që ka udhëhequr Qeverinë që nga viti 2006, është duke u kapur në pushtet kryesisht për shkak se udhëheqësit e saj kanë frikë nga gjykimi i tanishëm për korrupsion.

Disa figura të larta partiake, duke përfshirë udhëheqësin e VMRO DPMNE Nikola Gruevski, tashmë po përballen me hetime penale dhe aktakuza nga Prokuroria Speciale, SJO, për të cilat pretendojnë se janë të motivuara politikisht.

https://kallxo.com/gruevski-deshton-ta-formoje-qeverine/