Foto-ilustrim

Zbulohet Arsenal Armësh në Shtërpcë

Hetuesit e Sektorit Rajonal të Hetimeve në bashkëpunim me Njësinë e Reagimit të Shpejtë kanë arrestuar dy persona për veprën penale armëmbajtje pa leje.

Arrestimi dhe bastisja e shtëpive të këtyre dy personave ka ndodhur sot në orët e hershme të mëngjesit.

Këtë e ka konfirmuar për KALLXO.com majori i Policisë në Ferizaj Basri Shabani.

“Me urdhër të Gjykatës Themelore të Ferizajit është bërë kontrollimi I shtëpive të të dyshuarve Z.M dhe M.M të dy të përkatësisë etnike serbe, shtëpitë e të cilëve ndodhen në Shtërpcë, më saktësisht në fshatin Berevce,” tha Shabani.

Sipas tij gjatë kontrollit në shtëpitë e të dyshuarit Z.M  janë konfiskuar një pistoletë me gjashtë fishekë, një armë tjetër prodhim i Rusisë me 178 fishekë, një radio- lidhje, maskë për fytyrë, një thikë dhe tri uniforma ushtarake.

Ndërsa, në shtëpinë e të dyshuarit, M.M. policia ka gjetur dhe konfiskuar një pushkë automatike, shtatë karikatorë të së njejtës armë, një granatë dore të prodhimit jugosllav dhe 166 copë fishekë.

Të dyshuarit janë shoqëruar në policinë e Ferizajt dhe në prani të avokatëve mbrojtës janë intervistuar nga hetuesit policorë.

Me urdhëresë të prokurorit të shtetit, dy të dyshuarit janë liruar, ndërsa rasti shkon në procedurë të rregullt gjyqësore.