Foto-ilustrim

Zbardhen Shijet e Shtrenjta të Zyrtarëve Maqedonas

Faturat e restoranteve dhe ato që disa ministri maqedonase i dhanë BIRN-it që prej ndryshimit të qeverisë në maj tregojnë se disa ish-ministra dhe zyrtarë të lartë nuk u kursyen aspak kur erdhi puna te blerja e ushqimeve dhe pijeve me paratë e taksapaguesve.

Gullash i bërë me mish dreri, kallamarë me salcë domatesh, karkaleca deti me salcë bajamesh, oktapod në vaj ulliri, mish derri i pjekur, shpesë të egra të gatuara në avull, mish rose dhe verwra të shtrenjta ishin vetëm disa nga porositë e bëra nga ish-sekretari i përgjithshëm i Qeverisë Kiril Bozinovski gjatë vitit 2016 , tregojnë faturat.

Edhe pse të dhënat nuk tregojnë se sa njerëz i provuan këto ushqime të shijshme bashkë me Bozinovskin, ai rezulton mbajtësi i rekordit, duke gjykuar nga shuma e përgjithshme e shpenzuar, mbi 6,000 euro që ai i shpenzoi për shërbime “përfaqësimi” vitin e kaluar.

Shumica e kësaj është porositur me kartën zyrtare të Bozinovskit, e lëshuar nga qeveria dhe që synonte të përdorej për qëllime “përfaqësuese”. Një pjesë është paguar edhe me fatura.

Duke përdorur Ligjin për të Drejtën e Informimit, BIRN-i mundi të siguronte faturat që tregojnë shpenzimet nga zyrtarë të tjerë.

Ish zv/ministri i Shoqërisë Informatike dhe Administratës, Timco Mucunski, gjatë kohës që ishte në postin e tij nga prilli deri në dhjetor 2016, shpenzoi rreth 2,500 euro duke porositur gjithçka që nga bifteku i viçit, mishi i qengjit, salmoni, peshku, uiski, vera, birra dhe cigaret me shpenzimet e shtetit.

Disa nga faturat e restoranteve ku hante Mucunski arrinin deri në 200 euro. Shumica e tyre janë bërë gjatë orëve të ditëve normale të punës, por disa edhe gjatë orëve të natës.

Për krahasim, paga mesatare mujore në Maqedoni është pak më shumë se 300 euro. Megjithatë, statistikat zyrtare tregojnë se shumica e maqedonasve fitojnë më pak se kaq.

Ish-sekretari i shtetit në të njëjtën ministri, Jahi Jahia, shpenzoi më shumë se 3,000 euro në vitin 2016, me fatura restorantesh që varionin nga 40 në 400 euro.

Të dhënat e siguruara nga BIRN-i nuk tregojnë të gjitha porositë kulinarike të Jahias, por në një rast vitin e kaluar ai shpenzoi pothuajse 150 euro për dhjetë kilogramw lajthi dhe arra indiane.

Ish-sekretari i shtetit në Ministrinë e Kulturës, Behihxudin Sehabi, shpenzoi rreth 2,500 euro vitin e kaluar, me fatura që tregonin se ai bleu shpesh çamçakëz, cigare dhe ëmbëlsira nëpër pika karburanti duke përdorur paratë e taksapaguesve.

Të dhënat e shpenzimeve të disa zyrtarëve, të vëna në dispozicion për herë të parë në historinë e kohëve të fundit, kanë shkaktuar zemërim dhe tallje në publik.

Disa njerëz nëpër rrjete sociale kanë postuar fotografi të vakteve të tyre ekstravagante në formë sugjerimi se çfarë mund të duan të provojnë në vazhdim këta zyrtarë, me shpenzimet e taksapaguesve.

Qeveria tha se së shpejti do të vendosë rregulla më të rrepta dhe më unifikuese për këto shpenzime për të frenuar zakonet luksoze të disa zyrtarëve shtetërorë.

Nuk është e qartë nëse disa nga këto shpenzime do të kontrollohen nga autoritetet për të përcaktuar ndonjë përgjegjësi të mundshme ligjore.