Zaev tërhiqet nga posti i ministrit të Financave

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut,  Zoran Zaev tërhiqet nga posti i ministrit të Financave, pasi neni 44, paragrafi 2 i Ligjit për Antikorrupsion, nuk lejon bashkim të funksioneve.

Nga Komisioni për Parandalimin e Korrupsionit përmes një njoftimi e kanë informuar kuvendin se kryeministri nuk guxon të jetë edhe ministër. Neni 44 i Ligjit për Parandalimin e Korrupsionit parasheh konflikt interesi.

Sipas nenit 44 paragraf 1 dhe 2 nga Ligji për parandalimin e korrupsionit dhe konflikt interesash “Personi i zgjedhur apo i emëruar gjatë mandatit të tij është i obliguar t’i respektojë rregullat për mos ngjitjen e funksionit që e kryen me funksione apo veprime tjera të caktuara në Kushtetutën dhe ligjet” dhe “Funksioni president i Republikës, kryetar i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, ministër, deputet, anëtar i këshillit, kryetar i komunës, gjykatës, prokuror publik, mbrojtës i të drejtave, avokat i popullit dhe funksione të tjera që i zgjedh apo i emëron Kuvendi i Republikës së Maqedonisë, Qeveria e Republikës së Maqedonisë ose organet e vetëqeverisjes lokale, nuk mund të ngjiten njëri me tjetrin”.

Pas kësaj shefi i Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, nga foltorja e Kuvendit tha se do ta tërheq propozimin që të menaxhojë edhe me Ministrinë e Financave.

Ai tha se Kushtetuta dhe Ligji për Qeveri lejojnë që kryeministri mund të jetë edhe ministër, por tha se duhet të respektohen sugjerimet e anti-korrupsionit.

“Kushtetuta, neni 89 paragraf 5, thonë se funksioni kryetar i Qeverisë dhe ministër nuk mund të ngjiten me kryerjen e profesioneve dhe funksioneve tjera publike. Kushtetuta lejon që kryeministri të jetë edhe ministër. Njëkohësisht edhe Ligji për Qeveri e lejon atë por definitivisht atë që e theksoi opozita e thekson edhe Komisioni antikorrupsion, dhe një diskurs apo debat në shoqërinë tonë ma jep të drejtën ta njoftoj Kuvendin se dhashë urdhër që kabineti të lëshojë propozim për tërheqjen e kandidaturës sime, përkatësisht, Zoran Zaev si kandidat për ministër të Financave”, deklaroi kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev.

Paraprakisht edhe deputeti i VMRO DPMNE-së Ilija Dimovski tha se propozimi që kryeministri të bëhet edhe ministër është në kundërshtim me Ligjin për parandalimin e korrupsionit.

“Në Ligjin për parandalimin e korrupsionit, neni 44 paragraf 2 të cilin Kuvendi e miratoi para disa muajsh, thuhet: Funksioni president i Republikës, kryetar i Qeverisë, ministër, deputet, anëtar i këshillit, gjykatës, mbrojtës i të drejtave, avokat i popullit dhe funksione të tjera të cilët i zgjedh apo emëron Kuvendi I Republikës së Maqedonisë, Qeveria e Republikës së Maqedonisë apo organet e vetëqeverisjes lokale, nuk mund të ngjiten njëri me tjetrin”, u shpreh Ilija Dimovski nga VMRO-DPMNE.

Megjithatë Zaev do të menaxhojë me Ministrinë e Financave deri në zgjedhjen e ministrit të ri./TV21