Zaev Pret ta Marrë Mandatin Brenda 10 Ditësh

Kreu i LSDM-së Zoran Zaev në Emisionin “Top Tema” të televizionit “Telma” tha se pret që Presidenti Ivanov t’ia japë mandatin.

“Duhet ta japë mandatin, ose nëse nuk e jep le ta tregojë zgjidhjen. Nuk mundet kështu nuk ua jap mandatin, si fëmijët që thonë nuk ua jap lodrat”, tha Zaev.

Zaev deklaroi se sot ose më së largu të martën pret që të bëhet pranim-sdorëzimi i detyrës nga Trajko Veljanoski te kryetari i ri i Parlamentit Talat Xhaferi.

Zaev dyshon se prapa incidenteve të së enjtes qëndron policia dhe para së gjithash drejtori i Byrosë për Siguri Publike Mitko Çavkov, të cilin e quajti bandit.

“Unë prita që pas zgjedhjes së Talat Xhaferit kryetar të Parlamentit deputetët do ta sulmonin njëri-tjetrin, ose ndoshta sigurimi, ose ndoshta edhe MPB-ja do të përfshihej, por nuk besova që me qëllim do ta lëshojnë turmën”, tha Zaev.

Ai tregoi edhe si ndodhi hyrja e demonstruesve të dhunshëm në Parlament.

“Në një moment u hapën dyert, e dimë edhe nga kush. Kishte njerëz që koordinoheshin dhe jepnin udhëzime, përshëndeteshin njerëzit e maskuar me policët e uniformuar”, tha Zaev.

Ai përsëriti se qëllimi i incidenteve të së enjtes ishte që të shkaktoheshin vrasje, jo vetëm vrasja e tij, por edhe e disa deputetëve tjerë.

Një pjesë e njerëzve të maskuar sipas Zaev-it ishin policë.

Pas intervistës së Zaev-it, në të njëjtën studio të Televizionit “Telma” u intervistua edhe lideri i VMRO-DPMNE Nikolla Gruevski.

Zaev e ftoi përsëri Gruevskin në duel televiziv.

“E ftoj Gruevskin. Kam për ta pyetur për shumë gjëra kur ai të jetë i pranishëm.Pse ai vjen pas meje. Tash e di, do të më pres të largohem që të futet pastaj në studio. Ai nuk dëshiron të më shohë”, tha Zaev.

Marrë nga prizma.mk