Foto: Kallxo.com

Zaev përshëndet Haradinajn në shqip, Thaçin e Veselin në maqedonisht (VIDEO)

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, sot ka marrë pjesë në ceremoninë inauguruese të autostradës “Arbën Xhaferi”, e cila lidhë Kosovën me Maqedoninë Veriore.

Zaev në fillim të fjalimit të tij, ka përshëndetur presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi në gjuhën maqedone, të njëjtën e ka bërë edhe për kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli.

Mirëpo, kryeministrin e vendit, Ramush Haradinajn, Zaev e ka përshëndetur në gjuhën shqipe.

Pocituvan Predsedatel na Republika Kosova, gospodine Hashim Thaçi, pocituvan Predsedatel na Sobranie na Kosovo, gospodine Kadri Veseli, i nderuar kryeministër i Republikës së Kosovës, zotëri Ramush Haradinaj…”, ka thënë Zaev.

Pas një pune të gjatë prej disa vitesh, sot u përurua autostrada Prishtinë – Elez Han “Arbën Xhaferi”, e cila i ka kushtuar buxhetit të vendit rreth 700 milionë euro.

Në hapje po marrin pjesë krerët e shtetit, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, kryeministri Ramush Haradinaj, kryeparlamentari Kadri Veseli, presidenti i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, kryeparlamentari i Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi e zyrtarë të tjerë ishin të pranishëm në ceremoninë inauguruese.

Hapja e Autostradës Prishtinë-Shkup po bëhet me pesë muaj vonesë, pasi një gjë e tillë ishte e planifikuar të bëhej më 31 dhjetor të vitit 2018, mirëpo kjo nuk ndodhi.

Për këtë autostradë, nga buxheti i shtetit i janë paguar 53 milionë euro më shumë kompanisë punëkryese Bechtel & Enka.

Lidhur me punët që i kanë kryer disa kompani vendore kanë protestuar para kampit të Bechtel – Enka-s në Ferizaj, për moskryerjen e pagesave për punët që sipas tyre i kane kryer për Bechtel – Enka-n.

Ndërkohë, Qeveria të martën (28.05.2019) ka vendosur për investime shtesë, pasi pritet të ndërtohen edhe dy kyçje të reja në këtë autostradë, një në Ferizaj dhe një në Viti, dy kyçje këto që ende nuk është bërë publike sa do kushtojnë.

Ministri i Infrastrukturës Pal Lekaj dy ditë më parë i ka obliguar gjithë stafin e Ministrisë që të jenë prezent në ceremoninë e përurimit të kësaj autostrade.

Autoudhën “Arbën Xhaferi” në vitin 2014 e filloi ministri Fehmi Mujota i PDK-së, i cili nënshkroi kontratën me “Bechtel & Enka”, e vazhdoi ministri i LDK-së, Lutfi Zharku e po e përfundon sot, ministri nga AAK, Pal Lekaj.

Autostrada e re është e gjatë 65 kilometra, ndërsa ajo ka edhe urën më të gjatë në rajon, me 5 mijë e 700 metra dhe lartësi prej 83 metra.

Kjo rrugë lidhë shtetin e Kosovës me atë të Maqedonisë Veriore.

Kush e Gjuajti Gurin 53 Milionësh në Autostradë?