Zoran Zaev në Kuvendin e Maqedonisë

Zaev kërkon votat e opozitës shqiptare për ndryshimet kushtetuese

Partitë politike shqiptare kanë qëndrime të ndryshme lidhur me përfitimet e mundshme nga ndryshimet kushtetuese për zbatimin e marrëveshjes së emrit me Greqinë.

Zëvendëskryeministri për çështje evropiane, Bujar Osmani, thotë se me miratimin e ndryshimeve kushtetuese javën që vjen dhe me zgjidhjen e kontestit të emrit me Greqinë, realizohet synimi kryesor i shqiptarëve, anëtarësimi i vendit në NATO, që sipas tij, garanton paqe, siguri dhe zhvillim ekonomik. Me këtë, pra nisjen e bisedimeve me BE-në dhe hyrjen në fuqi të Ligjit për përdorimin e gjuhëve, që avancon statusin zyrtar të gjuhës shqipe, sipas Osmanit, arrihen kërkesat kryesore të shqiptarëve në Maqedoni.

“Nuk ka proces më të rëndësishëm për momentin për shqiptarët, por edhe për gjithë qytetarët e Maqedonisë se sa përfundimi i ndryshimeve kushtetuese që do të hapë rrugë për në NATO dhe BE. Anëtarësimi në NATO garanton paqen, stabilitetin, zhvillimin ekonomik, garanton të ardhmen dhe në jemi të kënaqur me këtë proces, rrumbullakohet një ëndërr e gjeneratave dhe e përkushtimit tonë për anëtarësim në Aleancën Veri-atlantike”, deklaron Osmani.

Por, për Aleancën për Shqiptarët edhe ndryshimet kushtetuese që tashmë ndodhen në fazën e fundit për miratim, javën e ardhshme nuk do të sjellin ndonjë ndryshim sa i përket pozitën kushtetuese të shqiptarëve për barabarësi.

“Edhe në këto ndryshime kushtetuese nuk ka asgjë për shqiptarët. Disa modifikime kozmetike që tenton t’i bëjë kryeministri Zoran Zaev, nuk ka asgjë qenësore. Sërish tentohet që me çdo kusht edhe me ndryshimet e reja kushtetuese që të theksohet se Maqedonia është shtet i kombit maqedonas dhe i përbërësve të tjerë etnik”, thotë Elmi Aziri, nga Aleanca për Shqiptarët, e cila së bashku me Lëvizjen Besa kanë paraqitur disa amendamente për avancimin e pozitën së shqiptarëve në Maqedoni, si bërjen e shqiptarëve popull shtetformues dhe definimin e shqipes si gjuhë zyrtare, e jo si gjuhën që e flasin 20 për qind nga numri i përgjithshëm i popullatës.

Aziri thotë se viti 2018 ishte zhgënjyes për shqiptarët, meqë ata, sipas nënkryetarit të kësaj partie opozitare, nuk arritën asnjë nga synimet, por edhe premtimet që ishin dhënë nga kryeministri Zoran Zaev, ndërsa ndalet në Ligjin për gjuhën shqipe, që ende nuk ka marrë epilog konkret.

“Arritëm me marrëveshjen e koalicionit që të miratojmë një ligj për gjuhën shqipe, megjithatë ende ai ligj nuk është firmosur nga kryetari i shtetit dhe ende nuk është në fuqi. Kjo paraqet një zhgënjim të madh për shqiptarët dhe një vazhdimësi të një logjike të vjetër të politikëbërjes dhe të etnisë shqiptare në Maqedoni”, thekson Aziri.

Ai vë theksin edhe te buxheti i shtetit për vitin 2019, i cili sipas tij, nuk dallon nga buxhetet e viteve të kaluar në aspekt të ndarjes së mjeteve. Më shumë para, sipas tij, vazhdojnë të destinohen në zonat e banuara me popullatë maqedonase në pjesën lindore të vendit, duke anashkaluar kështu rajonet rurale të banuara me popullatë shqiptare.

Edhe nga Forumi i Intelektualëve Shqiptar shprehen me doza pakënaqësie ndaj asaj që kanë arritur shqiptarët, të cilët siç theksojnë, kanë dhënë shumë për konsolidimin e këtij shtetit që ndodhej pranë një destabilizimi të madh lidhur me aferën e përgjimeve, protestat, proceset gjyqësore e ngjarjet e 27 prillit.

“Mendoj se viti 2018 nuk ka qenë i suksesshëm për shqiptarë dhe unë mendoj se nga të gjitha këto eksploatime të forcës së shqiptarëve, ata do të nxjerrin një përvojë të cilën do të shfrytëzojnë në vitin 2019”, ka deklaruar Shpëtim Pollozhani, nga Forumi i Intelektualëve Shqiptar.

Kryeministrit Zoran Zaev, ndërkohë, ka paralajmëruar se deri në ditën e nisjes së debatit për miratim në Kuvend, do të zhvillojë takime me këto parti për t’i bindur për rëndësinë që ka miratimi i ndryshimeve, që zgjidh kontestin e emrit me Greqinë dhe i hap rrugën integrimit euroatlantik.