‘Z-Mobile’ Shmang Seancën për Ekzekutim të Gjobës 30-Milionëshe

Përfaqësuesi juridik i kompanisë “Dardafon” (Z-Mobile), Vyrtyt Ibrahimaga, nuk ka marrë pjesë në seancë e thirrur në Gjykatën Themelore të Prishtinës, lidhur me njohjen dhe ekzekutimin e vendimit të Arbitrazhit që Telekomin e Kosovës e obligon të paguajë rreth 30 milionë euro.

Ibrahimaga nuk ka marrë pjesë në seancën që është derivat i kërkesës së operatorit “Z-Mobile” për ekzekutimin e vendimit të Arbitrazhit, i cili e obligon Telekomin që t’i paguajë rreth 30 milionë euro.

Në seancën e paraparë të mbahej më 19 maj në Departamentin Ekonomik në Gjykatën e Prishtinës, prezent ishte vetëm përfaqësuesi i Telekomit të Kosovës, avokati Gazmend Nushi.

Nushi kërkoi nga gjyqtari i rastit, Murat Paçarada, që propozimi për njohjen dhe ekzekutimin e vendimit të Arbitrazhit të konsiderohet i tërhequr për shkak të mungesës së palës propozuese, e cila nuk e kishte arsyetuar mungesën në seancë.

Ndonëse ky propozim i Nushit u refuzua, propozimi tjetër i tij, që gjykimi të ndërpritet pasi që në Gjykatën Themelore të Prishtinës kanë kërkuar që të anulohet vendimi i Arbitrazhit dhe që fillimisht duhet vendoset lidhur me atë rast para se të njihet dhe ekzekutohet vendimi.

Kontesti në mes të kompanisë “Dardafon” dhe Telekomit të Kosovës  zanafillën e ka në marrëveshjen e lidhur më datë 16 janar 2009.

Si rezultat i kësaj marrëveshjeje, e cila parashihte si mjet për zgjidhjen e kontesteve Arbitrazhin,  Arbitrazhi pranë Odës Ekonomike Ndërkombëtare e obligoi Telekomin e Kosovës që t’i paguajë dëmin kompanisë “Dardafon”.

Ky vendim u bë përfundimtar pranë Arbitrazhit më 9 dhjetor 2016.

Kompania “Dardafon” më 7 mars iu drejtua Gjykatës Themelore të Prishtinës për njohjen dhe ekzekutimin e vendimit ndërsa lidhur me këtë çështje u caktua të mbahej seancë më 19 maj.

Avokati i Telekomit të Kosovës, Gazmend Nushi për KALLXO.com tha se edhe gjyqtari por edhe ai vetë ishin befasuar me mungesën e avokatit të palës propozuese.

Nushi tha se megjithëse ka kërkuar që propozimi për njohjen e vendimit të konsiderohet i tërhequr, gjyqtari i çështjes nuk e ka pranuar këtë vendim.

KALLXO.com ka provuar të kontaktojë sot gjatë ditës me përfaqësuesin e kompanisë “Dardafon” Vyrtyt Ibrahimaga por ai ka qenë i paarritshëm.

KALLXO.com ka provuar të kontaktojë edhe me drejtorin e Telekomit të Kosovës, Agron Mustafa, por edhe me të kontakti ka qenë i pamundur.

Në dhjetor të vitit të kaluar, drejtori Mustafa kishte paralajmëruar mundësinë e falimentimit të Telekomit të Kosovës nëse kompania do të detyrohej të paguante dënimin e caktuar nga Arbitrazhi.

http://kallxo.com/mustafa-telekomi-kosoves-rrezikon-te-falimentoje/