Z Mobile dhe Telekomi i Kosovës

Z-Mobile paralajmëron arbitrazh ndaj Telekomit

Kompania telefonike Z-Mobile ka reaguar një ditë pasi Telekomi i Kosovës nuk e ka vazhduar kontratën me të.

Në një përgjigje për KALLXO.com, Z-Mobile ka dërguar një deklaratë për media, ku vlerëson se vazhdimi i kësaj kontrate ka qene në dobi të Telekomit, të konsumatorëve të Kosovës dhe zhvillimit të një tregu cilësor dhe konkurrent.

“Z Mobile me kujdes e ka vëzhguar situatën lidhur me përfundimin, respektivisht vazhdimin e kontratës me Telekomin e Kosovës, sipas kushteve të parapara në marrëveshjen bazë dhe për këto arsye nuk ka bërë deklarime publike, duke dashur t’i përmbahet obligimit që palët të negociojnë në mirëbesim”, thuhet në deklaratë.

Kjo kompani ka deklaruar se nuk besojnë se janë të sinqerta deklarimet e Telekomit të Kosovës se kanë zhvilluar negociata në mirëbesim për vazhdimin e kontratës me kompaninë në fjalë.

“Sipas bindjes sonë, që nga fillimi i kësaj periudhe, Telekomi nuk ka dashur të arrijë marrëveshje për vazhdimin e kontratës me Z Mobile dhe për këtë fakte ekzistojnë dëshmi të shumta me shkrim, si dhe me paraqitjet e përfaqësuesve të Telekomit nëpër media”, thuhet në përgjigje.

Sipas tyre, Telekomi e ka pasur për obligim ligjor që negociatat t’i zhvillojë në mirëbesim për arritjen e marrëveshjes komerciale me Z Mobile, “por ka bërë çdo veprim që të mos arrihet një marrëveshje”.

“Telekomi, duke vepruar në kundërshtim me obligimin për mirëbesim, ka zhvilluar kampanjë publike për devalvimin e bashkëpunimit komercial me Z Mobile, gjë që nuk e kemi pritur. Megjithatë, ne besojmë që këto veprime të Telekomit nuk i sjellin asnjë dobi as Telekomit as tregut te telekomunikacionit ne Kosove”, vijon përgjigja e kompanisë telefonike.

Kjo kompani thotë se nuk e përjashton inicim të procedurës se arbitrazhit ndaj Telekomit.

“Në situatën e tillë, Z Mobile, duke u vënë para aktit të kryer për shkak të mosbashkëpunimit të partnerit, i mbetet pak mundësi të zgjidhjes përveçse ndjekjes së rrugëve ligjore, duke mos përjashtuar inicim të procedurës së arbitrazhit ndaj Telekomit”, thuhet në deklaratë.

Sa i përket çështjes së numrave të kompanisë, Z-Mobile e konsideron kundërligjor kalimin e përdoruesve të tyre në pronësi të Telekomit.

“Gjithashtu, nga deklarimet, kemi vërejtur se Telekomi synon ta bëjë edhe një veprim tjetër kundërligjor, marrjen e numrave dhe konsumatorëve të Z Mobile, duke e quajtur “periudhë transicioni”. Kjo është shumë e çuditshme, për shkak se edhe Telekomi e di se numrat e Z Mobile janë pronë e kësaj kompanie dhe ato nuk mund të konfiskohen nga ndonjë kompani tjetër, as publike as private. Veprimet e tilla eventuale janë arbitrare dhe do te kenë konsekuenca juridike”, thuhet në reagim.

Z-Mobile shton se është kompani e përgjegjshme dhe do të bëjë zgjidhje për konsumatorët e saj, duke shfrytëzuar deri ne fund të gjitha mundësitë ligjore.

“Ne i falënderojmë konsumatorët tanë për besnikërinë dhe i njoftojmë se nuk ka hapësirë për shqetësim, e as për të rënë nën ndikimin e fushatës publike kundër një kompanie private ushtruar nga Telekomi dhe aksionarët e saj”, përfundon deklarata e tyre dërguar për KALLXO.com.

Kryetarja e bordit të Telekomit, Besa Shatri Berisha, të martën njoftoi se kontrata me Z-Mobile nuk do të vazhdohet.

Ajo ka thënë shkëputja e kontratës ka ardhur si pasojë e mos arritjes së marrëveshjes për vazhdim pas gjashtë muajsh negociata.

“Bordi i drejtorëve njofton se pas një periudhe 6 mujore nuk kanë arritur marrëveshje mbi kushtet e reja prandaj sot, Kryeshefi Ekzekutiv ka dërguar njoftim me vendim të Bordit për shpallje të pasuksesshme, për përfundim të kontratës me Z Mobile nga data 31 korrik”, ka thënë Shatri Berisha.

Borxhi milionësh dhe negociatat për kontratën

Ndërmarrja publike dhe Z Mobile kishin nënshkruar marrëveshje në janar të vitit 2009 me të cilën Z Mobile bëhej operator virtual i Telekomit.

Mospajtimet mes këtyre palëve përfunduan në Arbitrazh. Si rrjedhojë, këtë vit, 10 vite pas marrëveshjes, Telekomi gjendet para një borxhi rreth 26 milionë eurosh ndaj Z Mobile.

Më 4 maj të këtij viti kompania Z Mobile ka paralajmëruar kompaninë publike Telekom se do ta dërgojnë borxhin prej rreth 26 milionë euro në përmbarim.

Në atë situatë, Kryesuesja e bordit të Telekomit tha se borxhi mund të kushtëzojë edhe vazhdimin e kontratës me Z Mobile.

Më pas Z Mobile shtyu afatin për pagesë deri më 15 qershor 

Telekomi i Kosovës tani po synon të hyjë në kredi për të paguar borxhin ndaj biznesit të Blerim Devollit, Z-Mobile.

Në këto momente, Z Mobile e ka jetësuar paralajmërimin dhe ka inicuar procedurë të përmbarimit ndaj Telekomit.

Në anën tjetër, menaxhmenti i Telekomit është zotuar se nuk do të ketë  vazhdim të kontratës me Z Mobile.

Punëtorët e kësaj ndërmarrje kanë dhënë ultimatum që të ketë zotim me shkrim për mosvazhdimin e çfarëdo kontrate me këtë kompani, ndryshe futen në grevë të përgjithshme.

Arbitrazhi 

Kontesti në mes të kompanisë “Dardafon” dhe ndërmarrjes publike Telekomi i Kosovës zanafillën e ka në marrëveshjen e lidhur më datë 16 janar 2009. Marrëveshja parashihte që “Z-Mobile” të jetë operator virtual i telefonisë mobile “Vala”.

Mospajtimet në mes të dy palëve nisën kur “Z-Mobile” kërkoi numeracion shtesë, pra më shumë se 200 mijë numra sa i ishin ndarë në fillim.Mospajtimet përfunduan në Arbitrazh. Në vitin 2015, “Z-Mobile” (Dardafon) iu drejtua Arbitrazhit pasi pretendonte se Telekomi i Kosovës po bënte shkelje të marrëveshjes pasi refuzonte t’i ndajë numra shtesë dhe të ofronte shërbime 3G dhe 4G.

Tribunali i Arbitrazhit pranë Odës Ekonomike Ndërkombëtare sipas padisë së kompanisë “Z-Mobile”, më 9 dhjetor 2016 vendosi në favor të kësaj kompanie. Sipas vendimit të Arbitrazhit, Telekomi i Kosovës obligohej që t’i alokonte numeracion shtesë “Z-Mobile”-it, si dhe t’i ofronte shërbimet 3G dhe 4G. E për dëmin e shkaktuar, Arbitrazhi e obligonte Telekomin që t’i paguante rreth 30 milionë euro gjobë në emër të shpërblimit të dëmit, fitimit të humbur dhe shpenzimeve të procedurës së Arbitrazhit.