Z-Mobile i kërkon gjykatës ta detyrojë Telekomin të paguajë rreth 30 milionë euro gjobë
Gjykata e Prishtinës, sot trajtoi kërkesën e Z-mobile-it ndaj Telekomit të Kosovës lidhur me njohjen e vendimit të Gjykatës së Arbitrazhit me të cilën ishte vendosur që Telekomi obligohej t’i paguante Z-Mobile-it shumën prej mbi 30 milionë eurove, përfshirë këtu edhe kamatën e cila pritet të përcaktohet.
Të pranishëm në seancë ishin përfaqësuesi i Z-Mobile (Dardafon Net LLC), avokati Vyrtyt Ibrahimaga si dhe përfaqësuesi i Telekomit të Kosovës, avokati Gazmend Nushi.
Me fillim të hapjes së seancës gjyqësore, përfaqësuesi i Z-Mobile-it avokati Vyrtyt Ibrahimaga deklaroi se mbetet pranë kërkesës për njohje të vendimit të arbitrazhit.
Ndërsa përfaqësuesi i Telekomit, avokati Gazmend Nushi fillimisht kërkoi nga Gjykatësi i çështjes, Murat Paçarada që ta ndërpres procedurën lidhur me këtë çështje kjo për shkak të ekzistimit të një procesi penal i cili ende është aktiv ndaj të pandehurve të cilët akuzohen po për këtë objekt të shqyrtimit.
Avokati Nushi tha se lënda momentalisht ndodhet në Gjykatën e Apelit dhe meqë kjo Gjykatë ende nuk ka vendosur atëherë avokati tha se ky proces vazhdon të jetë ende aktiv. Prandaj kërkoi nga Gjykata që të marrë aktvendim për ndërprerje të procedurës pranë departamentit për çështje ekonomike derisa të përfundoj procedura penale.
Lidhur me propozimin e përfaqësuesit të Telekomit, kundërshtime pati nga përfaqësuesi i Z-mobile-it i cili tha se nuk po e kupton arsyen e kësaj kërkese dhe cila do të jetë dobia e PTK-së në prolongimin e këtij procesi pasi që sipas avokatit Ibrahimaga, për çdo prolongim të kësaj procedure PTK-ja do të jetë përgjegjëse për kamatat shtesë të cilat do të aplikohen për çdo ditë të prolongimit të procedurës së njohjes dhe ekzekutimit.
E një propozim i tillë nga përfaqësuesi i Telekomit të Kosovës, për ndërprerje të kësaj procedure deri në përfundim të procedurës tjetër penale, u refuzua nga Gjykatësi Murat Paçarada, me ç ‘rast u vazhdua më tej me procesin.
Tutje përfaqësuesi i telekomit, avokati Gazmend Nushi tha se qëndrojnë prapa kundërshtimeve lidhur me vendimin përfundimtar të Gjykatës së Arbitrazhit për të cilën tha se ka vendosur për çështje të cilat janë jashtë kompetencës së saj, çështje të cilat tha se hyn në kompetencë ekskluzive të gjykatave vendore.
Këtë pretendim avokati Nushi e bazoi në procedurën administrative të cilën tha se Z-Mobile e kishte filluar pranë Gjykatës Administrative në vitin 2013, me c ‘rast tha se është kërkuar e njëjta gjë e cila është kërkuar edhe në procedurën e arbitrazhit.
Prandaj sipas avokatit Nushi në një situatë të tillë kur një kërkesëpadi është inicuar pranë Gjykatave vendore për të njëjtën çështje nuk mund të niset procedura e arbitrazhit.
Ai madje tha se me vendimin e arbitrazhit është cenuar Kushtetuta e Republikës së Kosovës, pasi që sipas avokatit Nushi arbitrazhi ka ndërhyrë në kompetencën ekskluzive të Gjykatave vendore.
Krejt në fund avokati Nushi, propozimin e Z-Mobile e konsideroi si tentativë për ta vënë në lajthim Gjykatën, kjo pasi sipas tij, qysh me 24 maj të vitit 2017 palët kishin lidhur marrëveshje për ekzekutim të vendimit final, me ç ‘rast tha se janë paguar 4.192.292.01 euro por që më pas këtë marrëveshje e kishte shkëputur Z-Mobile, për çka Nushi deklaroi se objekt i shqyrtimit nuk mund të konsiderohet mos zbatimi i marrëveshjes nga ana e telekomit por e kundërta.
Përndryshe përfaqësuesi i Telekomit i propozoi Gjykatës që ose ta refuzoj në tërësi propozimin e Z-Mobile për njohje dhe ekzekutim ose pjesërisht ta njoh propozimin dhe ekzekutimin duke i zbritur nga petitumi i vendimit final, vlerat milionëshe të cilat sipas avokatit janë përllogaritur në kundërshtim të plotë me legjislacionin, normat imperative dhe me rendin publik të Republikës së Kosovës.
Ndërsa përfaqësuesi i Z-Mobile, avokati Vyrtyt Ibrahimaga deklaroi se ai fare nuk e konteston faktin se telekomi i ka paguar Z-Mobile shumën prej 4.192.292.01 eurove mirëpo sipas avokatit në këtë procedurë nuk trajtohen vlerat e paguara pas vendimit të dhe se në procedurën e përmbarimit do të zbriten vlerat e paguara nga PTK.
Përfaqësuesi i Z-Mobile tha se objekt i kësaj procedure nuk është vlera përfundimtare të cilën PTK do të duhet të ja paguaj Z-Mobile-it por se objekt i shqyrtimti është njohja e vendimit të huaj.
Kurse sa i përketë kontratës në mes të Z-Mobile e PTK për të cilën përfaqësuesi i PTK-së deklaroi se Z-Mobile e kishte shkëputur, avokati Ibrahimaga tha se arsyeja e shkëputjes së kontratës ka pasur të bëjë me faktin se PTK edhe pas 6 muajve nga vendimi i arbitrazhit kishte refuzuar ta zbatoj vendimin dhe se edhe pas lidhjes së marrëveshjes në mes të Z-Mobile e PTK, kjo e fundit nuk i është përmbajtur kontratës për ekzekutim dhe për këtë shkak Z-Mobile është detyruar që ta shkëpus marrëveshjen.
E lidhur me kompetencën e Gjykatave, përfaqësuesi i Z-Mobile tha se PTK-ja këtë çështje e ka adresuar edhe në procedurë të arbitrazhit pastaj edhe në Gjykatën e Lartë të Londrës dhe se që të dyja kanë vendosur që tribunali i arbitrazhit ka pasur kompetencë edhe territoriale edhe lëndore për të nxjerrë vendimin e arbitrazhit.
Sipas këtyre që u thanë më lartë përfaqësuesi i Z-Mobile i kërkoi Gjykatës që të vendos sipas kërkesës së Z-Mobile dhe në atë mënyrë të njohë vendimin e arbitrazhit të huaj dhe konform ligjit për arbitrazhin e Kosovës ta detyroj PTK-në ti bartë shpenzimet e procedurës duke përfshirë këtu edhe shpenzimet e përfaqësimit.
Lidhur me pretendimet e Z-Mobile, Gjykata do të vendos jashtë shqyrtimit gjyqësor.
Arbitrazhi
Kontesti në mes të kompanisë “Dardafon” dhe ndërmarrjes publike Telekomi i Kosovës zanafillën e ka në marrëveshjen e lidhur më datë 16 janar 2009. Marrëveshja parashihte që “Z-Mobile” të jetë operator virtual i telefonisë mobile “Vala”. Mospajtimet në mes të dy palëve nisën kur “Z-Mobile” kërkoi numeracion shtesë, pra më shumë se 200 mijë numra sa i ishin ndarë në fillim. Mospajtimet përfunduan në Arbitrazh. Në vitin 2015, “Z-Mobile” (Dardafon) iu drejtua Arbitrazhit pasi pretendonte se Telekomi i Kosovës po bënte shkelje të marrëveshjes pasi refuzonte t’i ndajë numra shtesë dhe të ofronte shërbime 3G dhe 4G.
Tribunali i Arbitrazhit pranë Odës Ekonomike Ndërkombëtare, sipas padisë së kompanisë “Z-Mobile”, më 9 dhjetor 2016 vendosi në favor të kësaj kompanie.
Sipas vendimit të Arbitrazhit, Telekomi i Kosovës obligohej që t’i alokonte numeracion shtesë “Z-Mobile”-it, si dhe t’i ofronte shërbimet 3G dhe 4G. E për dëmin e shkaktuar, Arbitrazhi e obligonte Telekomin që t’i paguante rreth 30 milionë euro gjobë në emër të shpërblimit të dëmit, fitimit të humbur dhe shpenzimeve të procedurës së Arbitrazhit.
Kujtojmë se lidhur me marrëveshjen më mes të Z-mobile dhe Vala, Prokuroria kishte ngritur aktakuzë ndaj krerevë të telekomit Agron Mustafës, Ejup Qerimit e Rexhë Gjonbalajt.
Agron Mustafa dhe Ejup Qerimi, në kohë të ndryshme, kanë mbajtur pozitën e kryeshefit të Telekomit. Ndërsa, Rexhë Gjonbalaj ka qenë kryetar i bordit të Telekomit të Kosovës.
Aktakuza ka pasur të bëjë me veprimet që i kanë paraprirë vendimit të Gjykatës dhe pastaj kontestit në arbitrazh, e të cilat u përmbyllën me marrëveshjen në mes të Z-mobile dhe Valës.
Por në dhjetor të vitit të kaluar Gjykata Themelore duke i marrë për bazë kërkesat e mbrojtësve për kundërshtim të provave dhe hedhje të aktakuzës, kishte vendosur që të hedhë poshtë aktakuzën e ngritur nga Prokuroria Speciale.
https://kallxo.com/gjykata-rrezoi-aktakuzen-ndaj-ish-krereve-te-telekomit-te-kosoves-per-z-mobile/
Sipas vendimit të Gjykatës të cilin e ka siguruar KALLXO.com, thuhet se Prokuroria Speciale nuk e ka mbështetur aktakuzën me asnjë provë të besueshme.
Tutje në aktvendim thuhet se me asnjë provë nuk është vërtetuar se të pandehurit kanë pasur për qëllim t’i shkaktonin dëm të dëmtuarës “DARDAFON”.
Me rastin e marrjes së këtij vendimi Gjykata ka udhëzuar kompaninë e dëmtuar “Dardafon.net”, në kontest civil.
https://kallxo.com/arsyet-pse-gjykata-e-pushoi-proceduren-ndaj-ish-krereve-te-telekomit/
Detajet e tjera rreth marrëveshjes mund ti lexoni në këtë link