Lideri i LVV-së, Visar Ymeri - Foto: Facebook

Ymeri: Marrëveshja për ‘Zajednicën’ Është e Vdekur

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, ka thënë se “Zajednica” kurrë nuk do të jetë realitet në Republikën e Kosovës.

“Sa i përket çështjes së ‘Zajednicës’, komunat me shumicë serbe, ne konsiderojmë se ajo marrëveshje tashmë është e vdekur dhe si e tillë ajo nuk është e ringjallshme”, ka theksuar ai në një ngjarje ku është shënuar 11-vjetori i parullës “Jo negociata, Vetëvendosje!”.

Në lidhje me këtë përvjetor, i pari i LVV-së tha se në këto 11 vite është ndryshuar rrënjësisht skena politike në Kosovë.

“Këto 11 vite Vetëvendosje ka shënuar rritje të madhe si konceptualisht ashtu edhe në aspektin organizativ. Sot Lëvizja Vetëvendosje numëron mbi 23 mijë anëtarë”, tha Ymeri, duke shtuar se sot të gjitha sondazhet e nxjerrin LVV-në si subjektin e dytë në Republikën e Kosovës.

I pyetur nëse do të marrë pjesë në Komisionin për krijimin e Asociacionit të komunave serbe nëse ftohet nga presidenti, pasi ky i fundit kishte thënë se do të krijohet një Komision, Ymeri është përgjigjur se ‘Zajednica’ kurrë nuk do të jetë realitet në Republikën e Kosovës.

Sipas tij, me Marrëveshjen për Asociacionin politikanët si Hashim Thaçi, Isa Mustafa e Kadri Veselit kanë interesa personale për ta dëmtuar Republikën e Kosovës për interesa të Serbisë.

“Dhe këtu unë interesin e tyre personal vështirë se e kuptoj. Përveç se të mbeten në pushtet që t’i shpëtojnë përndjekjes penale nuk mund ta kuptoj ndryshe. Republika e Kosovës asnjëherë nuk do të jetë pre e kusuritjes për interesa personale të politikanëve të korruptuar që e kanë kapur shtetin”, tha Ymeri.

Ndërkaq, sa i përket vazhdimit të mandatit të EULEX-it, LVV-ja konsideron se një mision me kompetenca ekzekutive brenda një vendi sovran nuk mund të ekzistojë.

“Ka qenë eksperiment që ka dështuar në mënyrë të jashtëzakonshme në Republikën e Kosovës. Nuk mund të prodhojmë sistem të mirëfilltë të drejtësisë, i cili u garanton qytetarëve të Kosovës barazi në drejtësi po qe se ky sistem nuk vjen dhe nuk buron nga brenda”, u shpreh ai.